Pesë grada përnjëherë, ‘besnikët’ e Gërvallës thyejnë rekord në shkeljet për gradim dhe marrje të pozitave - Insajderi
×
  • Lajme
  • Analiza

    Pesë grada përnjëherë, ‘besnikët’ e Gërvallës thyejnë rekord në shkeljet për gradim dhe marrje të pozitave

    Insajderi
    15 February 2024 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një rast i paprecedent ka ndodhur në ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga Donika Gërvalla. Tre persona të afërt të ministres, Besim Berisha, Vigan Berisha dhe Hamdi Bërbatovci, kanë thyer rekord në gradimin më të shpejt që ka pasur ndonjëherë ndonjë diplomat i karrierës në Republikën e Kosovës. Të tre zyrtarët janë graduar për pesë grada përnjëherë duke marr kështu gradën e tretë më të lartë nga hierarkia, pas ambasadorit, Konsullit dhe ministër-këshilltarit. Skandali nuk përfundoi këtu. Tre rekordmenët, pasi u graduan, ministrja i shpërbleu edhe me pozita që marrin paga të majme. Treshja është dërguar në misione si shefa të konsultave të mirëpërzgjedhura për sa i përket pagesave.

    Pesë grada përnjëhërë është shpërblimi që ministrja e MPJD’së Donika Gërvalla-Schwarz ua ka dhënë tre personave të afërt të saj.

    Besim Berisha, Vigan Berisha dhe Hamdi Bërbatovci, vetëm pak muaj më parë ishin staf i Ministrisë së Diasporës dhe mos përvoja e tyre në diplomaci nuk ka qenë pengesë për të kaluar mbi stafin tjetër të MPJ’së cilët punojnë në këtë ministri më shumë se sa 10 vite.

    Avancimi i tyrë në pesë grada nuk është praktikë diplomatike. Nuk ka ndodhur asnjëherë.

    Aplikimi i parë i tyre për tu pajisur me gradë u bë në thirrjen publike që MPJD kishte dërguar tek punonjësit e kësaj Ministrie me datë 7 shkurt 2023.

    Edhe në thirrjen për aplikim madje ishte cekur se ishte aplikim për zyrtarët që nuk kishin asnjë gradë.

    Në krye të komisionit vlerësues ishte vendosur Behar Isma në cilësinë e ud. Sekretarit e i cili po ashtu njihet si personi më i afërt i ministres Gërvalla. Isma vendosi që në mesin e shumë aplikimeve, grada t’u jepet vetëm tre zyrtarëve.

    Nga ky komision, Besim Berisha ( udhëheqës i Divizionit për Hartim dhe Koordinim të Politikave), Vigan Berisha ( udhëheqës i Njësisë së Burimeve Njerëzore), dhe Hamdi Bërbatovci( Auditor i Brendshëm) tejkaluan plot 4 grada në hierarki, për ta marrë atë të këshilltarit.

    Procesi i gradimit brenda MPJD-së, e caktuar edhe me rregullore, lidhet me përvojën kualifikimet dhe përformancën e punës, por nuk dihet saktë çfarë kualifikimesh duhet të kenë që gradën e parë ta marrin duke kaluar pesë grada parapake, aq më tepër pa asnjë përvojë në diplomaci.

    Pasi morën pesë grada përnjëherë, Gërvalla i bën shefa misionesh në SHBA, Zvicër dhe Gjermani

    Të njëjtit tashmë diplomat, pas marrjes së gradave, rekorde thyen edhe në pozitat që do i merrnin në diplomaci. Shefa misionesh e konsullatave të mirëpërzgjedhura, të cilat patjetër se prijnë edhe me pagesat më të majme, si shkak i standardit jetësor.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra dhe Gjermania, do bëhen vend pune dhe jetese për të paktën 4 vjet për tre diplomatët e lartë të Gërvalles.

    Vigan Berisha u emërua si shef i misionit në Konsullatën e Kosovës ne Cyrih.

    Zvicra është shteti ku diplomatët marrin pagat më të larta, si shkak i standardit jetësor në këtë shtet, andaj për tu emëruar në këtë shtet bëhet luftë jo pak e vogël brenda stafit diplomatik.

    Hamdi Bërbatovci u emërua Konsull i Përgjithshëm në Konsullatën e Kosovës në Stuttgart.

    Besim Berisha nuk mori titullin shef, por mori një prej misioneve më të rëndësishme dhe më së shumti të paguar.

    Berisha u caktua të shërbejë në Konsullatën në New Jork për të cilën gjithashtu behët luftë e madhe për përzgjedhje kjo jo vetëm për shkak të pagës më të madhe por edhe për rëndësinë e misionit diplomatik atje.

    Tre rekordmenët filluan të mësojnë anglishtën bazike

    Tre zyrtarët që në kohë rekorde u graduan dhe u bën shefa misionesh, përveç parregullsive në gradim dhe përzgjedhjes selektive për misione, ata nuk plotësuan edhe një kusht bazik për grada e misione siç është njohja e të paktën gjuhës angleze.

    Tre rekordmenët, anglishten filluan ta mësonin pikërisht pas ardhjes në MPJD.

    Mediat raportuan muaj më parë se te tre po e ndjekin kursin bazik të anglishtes.

    As mos përmbushja e këtij kriteri nuk ishte problem për ta, ani pse ministrja Gërvalla publikisht kishte deklaruar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë se njohja e anglishtes është kriter i domosdoshëm për diplomatët në misione, sidomos në SHBA.

    Insajderi sjell videon kur Gërvalla deklaronte se “është jashtë mendsh” që të dërgoj dikë në mision jashtë shtetei e që nuk e din gjuhën angleze.

    Njohja e gjuhës angleze është obligative edhe sipas rregullores për shërbimin e jashtëm neni 6 pika 1.7.

    Lidhur me ngritjet në grada diplomatike, Gazeta Insajderi ka pyetur MPJD se si është e mundur që dikush të marr pesë grada përnjëherë, duke i ikur përgjegjës në pyetjet e drejtuara nga kjo ministri kanë thënë se gradat diplomatike bëhen në bazë të Ligjit për Shërbim të Jashtëm dhe Rregullores për Shërbim të Jashtëm.

    Kriteret se kush ka të drejtë të aplikoj për gradë diplomatike dhe kush e bënë vlerësimin e aplikimeve janë të përcaktuara në Ligjin Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Rregulloren 02/2009 për Shërbimin e Jashtëm dhe Rregulloren QRK – nr. 04/2014 për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark