
Inspektorati Policor i Kosovës, ka gjetur dobësi në procesin e gradimit për rreshter. Në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”, IPK-ja ka gjetur se procesi është përcjellë me disa dobësi në fazën e konkurrimit, si rezultat i të cilave thuhet se janë ngritur shumë shqetësime dhe ankesa.
Në pikën 1.8 të raportit thuhet se nuk është verifikuar e kaluara e kandidatëve për t’u siguruar se ata kanë plotësuar kriterin mbi historikun disiplinor e penal të parapara me Udhëzim dhe Shpallje së konkursit.
Po ashtu në këtë pik ceket se IPK ka hasur që në listat e testimit janë përfshirë edhe një numër zyrtarësh policor të cilëve nuk iu ishte vlerësuar performanca për disa periudha vlerësuese.
Po ashtu në raport ceket se gjatë fazës së testimit me shkrim ka pasur dobësi në aspektin teknik gjatë plotësimit të formularëve të pranimit dhe dorëzimit të materialit tek komisioni.
Për këto dallavere kishte raportuar edhe Gazeta Insajderi.
IPK-ja në kuadër të Raportit ka dhënë tetë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policorë me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike si dhe përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj, dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit.
Kërkesa për inspektim thuhet se ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.
“Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
“IPK-ja pret nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar Raportin e inspektimit si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë”, thuhet tuje në njoftim.