Problemi me tender, punëtorët e Mensës së Studentëve angazhohen që të përgatisin shujtat për ushtarët e FSK-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Problemi me tender, punëtorët e Mensës së Studentëve angazhohen që të përgatisin shujtat për ushtarët e FSK-së

    Insajderi
    30 September 2024 - 20:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shteti është detyruar të gjejë zgjidhje të përkohshme për përgatitjen e ushqimit për ushtarët e FSK-së, marr parasysh problemin me tenderin për furnizim.

    Improvizimi është bërë duke angazhuar punëtorët e Mensës së Studentëve që të udhëtojnë në kazermat për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve.

    Sipas një dokumenti që e ka siguruar Dukagjini, e që u është shpërndarë departamenteve brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ky dikaster do të sigurojë transportin e tyre.

    Aty përgjegjësia për transport të këtyre punëtorëve në kazermat e FSK-së u është dhënë katër njësiteve.

    “Të merren masat të bëjnë transportin e personalit të Menzës së Studentëve që pritet të angazhohen për përgatitje të ushqimit, nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë deri në kazermat e FSK-së. Transporti i personelit bëhet duke filluar nga data 01.10.2024 deri në njoftimin e radhës”, thuhet në vendim, ku shtohet se këto njësite do ta kenë edhe obligimin që personelin e Mensës ta drejtojnë për angazhim dhe përgatitje të ushqimit.

    Drejtori i Qendrës së Studentëve e ka konfirmuar informacionin për Dukagjinin por nuk ka sqaruar se si janë ndarë këta punëtorë që do të angazhohen në ushtri, e që sipas tij kjo është bërë në mënyrë vullnetare.

    Ekrem Rudari, Drejtor i Qendrës së Studentëve deklaroi se “Disa prej punëtorëve kanë me shku vullnetarisht me i asistu disave, me ju ndihmu nëse ka nevojë se edhe i kemi borxh na shtetit tonë me i ndihmu”

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci javën e kaluar pranoi në një intervistë për Dukagjinin se ka pas probleme me tenderin për furnizim me ushqim në FSK.

    Ai tha se ka pasur vendime e edhe anulime të tyre, duke aluduar në vendimin e zëvendësit të tij, Shemsi Syla që ky tender të shpallet sekret shtetëror.

    Maqedonci tha se tenderin për ushqimin e ka fituar një kompani por nuk është nënshkruar dhe se tenderi është në auditim të brendshëm të Ministrisë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark