
Ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, raportohet të jetë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Siç raportojnë mediat, arrestimi ka ndodhur mëngjesin e së enjtes.
Për një gjë të tillë ka shkruar edhe kreu i OVL-UÇK’së, Faton Klinaku.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka shkruar Klinaku në ‘Facebook’.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me avokatin e akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, por i njëjti s’ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të artikullit.
Shtëpia e Smakajt ishte bastisur nga forcat e EULEX’it edhe para një viti. /Insajderi.org/