
Gazetari Baton Haxhiu ka dhënë komentet mbi listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Insajderi.
Ai tha se në këtë listë nuk është reflektuar asnjë ndëshkim për ata që, sipas tij, kanë udhëhequr me dështim gjatë qeverisjes.
Sipas Haxhiut, Liburn Aliu, i cili nuk figuron në listën e VV-së, ka paraqitur dy herë dorëheqje gjatë mandatit të tij si ministër, por dorëheqjet e tij nuk janë pranuar nga partia.
“Ky është një sekret publik”, tha Haxhiu, duke komentuar përplasjet që Aliu pati brenda partisë në Pressing të T7.
Ai u shpreh se “kur ka dështim në qeverisje, duhet të reflektohet me lista të reja dhe figura të reja”.
Një nga dështimet kryesore të qeverisë, sipas Haxhiut, ka qenë veriu i Kosovës dhe marrëdhënia me ndërkombëtarët për këtë çështje, e cila ka mbetur e pazgjidhur dhe problematike.