Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një vizitë në Gjermani, ku është takuar me bashkëatdhetarët që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet.
Gjatë takimit, Haradinaj ka biseduar me ta për sfidat dhe mundësitë që e presin Kosovën pas datës 9 shkurt.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që ata po i japin kandidatit për deputet nga mërgata, Ukë Blakaj, të cilin e cilësoi si sipërmarrës të suksesshëm dhe anëtar të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
“Sot, pata nderin të jem me ta dhe të bisedojmë për sfidat dhe mundësitë që e presin Kosovën pas 9 shkurtit. Ju jam mirënjohës për mbështetjen e tyre ndaj kandidatit tonë për deputet nga mërgata, Ukë Blakaj, njëherësh anëtar i këtij unioni dhe sipërmarrës i suksesshëm në mërgatë,” shkroi Haradinaj në Facebok.
Ai gjithashtu potencoi rëndësinë e bashkëpunimit për ta bërë Kosovën anëtare të NATO-s përmes një Plani Aksional, duke garantuar një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në Gjermani jetojnë qindra mijëra shqiptarë, shumë prej të cilëve kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme, duke mbajtur gjallë lidhjet me vendlindjen e tyre.
Haradinaj falënderoi kryetarin e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Nazmi Viqa, dhe bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
“Bashkë do ta bëjmë Kosovën Fituese,” përfundoi ai.