Banorët e tri fshatrave të Prizrenit kanë paralajmëruar një protestë të organizuar për shkak të reduktimeve të mëdha të energjisë elektrike, që po i përballojnë prej kohësh.
Protesta pritet të mbahet të premten, më 27 dhjetor 2024, para zyrave të KEDS-it në Prizren, duke filluar nga ora 10:00.
Në njoftimin e shpërndarë, bëhet thirrje për pjesëmarrje masive të të gjithë qytetarëve nga fshatrat Grazhdanik, Kobaj, Vlashnje dhe Poslisht për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës së krijuar.
“Kjo çfarë është duke iu bërë banorëve të këtyre fshatrave është e patolerueshme. Një çrregullim i vogël i motit, dhe ne kemi ndërprerje të rrymës për orë të gjata, apo edhe për ditë të tëra,” thuhet në reagimin e tyre.
Banorët kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme nga ana e KEDS-it, duke theksuar se këto ndërprerje të shpeshta kanë ndikuar seriozisht në jetën e tyre të përditshme dhe aktivitetet ekonomike.
Theksojmë se ditëve të fundit shumica e vendeve në Kosovë po përballen me mungesën e energjisë elektrike.
Lidhur me këtë gjatë ditës së nesërme Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të zhvillojë takim me përfaqësues të Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Pas takimit që pritet të mbahet rreth orës 09:30 do të ketë prononcime për media para ndërtesës së KEDS, njoftoi Ministria e Ekonomisë, përmes një komunikate për media.
/Insajderi