
Nga 6065 persona të zhdukur gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, për 1607 individë ende nuk dihet vendndodhja e tyre.
Shumica dërrmuese e tyre u gjetën në varreza masive në Serbi, por gjatë vitit 2024, Beogradi nuk dha leje për asnjë gërmim.
Pavarësisht dakordimit dhe përgatitjeve në terren, dheu që mbulon shpresën për të gjetur ndonjë trup tjetër, mbeti i paprekur në Kozhlje, Kozarevë dhe Batajanicë.
Megjithatë, ky fakt nuk ka zbehur vullnetin për të vazhduar përpjekjet, të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, përfshirë edhe në këto tri lokacione.
“Mundësia e rikthimit ose në lokacionin në zonën e Peruqas, në zonën e Bajnabashtës apo edhe në lokacionin në Petrovosello në kufi me Rumaninë,” ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Toka e Kosovës ka qenë e vetmja adresë ku është kryer gërmimi. Rezultatet janë të pakta, por përpjekjet vazhdojnë përballë numrit të lartë prej 1607 personash të zhdukur.
“Janë më shumë se 30 raporte të analizës së ADN-së që janë pranuar, po flas kryesisht për identifikime të reja, më shumë se 25 persona që kanë qenë në listën e personave të zhdukur, që tani më kemi pranuar raportet e ADN-së,” shtoi Gara.
Më 4 maj 2023, përpjekjet tri vjeçare u kurorëzuan me Deklaratën për Personat e Zhdukur, dokument që përpos zgjidhjes për të pagjeturit përmban edhe zotimin e të dyja palëve për çdo lloj bashkëpunimi.