Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-Nisma-E30+, Artan Nimani, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me Projektligjin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Nimani ka theksuar se këto deklarata janë më tepër një përpjekje për të motivuar militantët e VV-së dhe nuk kanë lidhje me realitetin.
‘’Deklaratat e Kurtit tashmë janë në vazhdën e motivimit të militantëve të tij dhe realisht nuk kanë të bëjë me realitetin’’ thotë ai.
Ai ka shtuar se, gjatë periudhës kur Kurti ishte në pushtet për katër vite, ai kishte mundësinë për të realizuar këtë projekt, por nuk e bëri.
‘’Kurti që katër vite ishte në pushtet dhe e kishte mundësinë që ta realizonte atë’’ shton Nimani për FrontOnline,
Nimani mendon se mosrealizimi i këtij premtimi lidhet ngushtë me interesat e brendshme të partisë Vetëvendosje.
‘’ Unë mendoj se mos realizimi i këtij premtimi, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka të bëjë me njerëzit e Vetëvendosjes, sepse çdo iniciativë, çdo ndërhyrje e Qeverisë, gjithmonë ka ndikuar tek njerëzit e VV-së’’ potencon ai.
Kandidati për deputet ka theksuar se askush nuk është kundër një ligji të tillë, por ky duhet të jetë në përputhje me ligjet ekzistuese dhe të mos ketë efekte negative për qytetarët.
‘’Askush nuk është kundër këtij ligji, por duhet të jetë në kuadër të ligjeve në fuqi’’ theksoi ai.
Nimani ka paralajmëruar se njerëzit e VV-së do të jenë ata që do të atakohen më shumë nga ky projektligj.
‘’Njerëzit e VV-së do të atakohen më së shumti nga kjo byro’’, përfundoi Nimani.