
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar ashpër Albin Kurtin, duke e akuzuar atë për qëndrime të paqarta dhe kontradiktore në lidhje me Marrëveshjen e Washingtonit.
Gashi tha se para katër vitesh, Kurti e quajti tradhti kombëtare marrëveshjen, duke e sabotuar dhe denigruar atë.
“Para katër vitesh e quajti tradhti kombëtare Marrëveshjen e Washingtonit. E sabotoi zbatimin e saj, e denigroi vetë dhe i porositi militantët të bënin të njëjtën gjë, duke përdorur gjuhën dhe veprimet më të ulëta ndaj nesh”, shkroi ai në Facebook.
Sipas Gashit, tani, i pafuqishëm dhe pa mbështetje, ai po përpiqet të përqafojë administratën e Trump dhe të promovojë po të njëjtën marrëveshje, të cilën më parë e kishte kundërshtuar.
Gashi tha se Kurti ka mungesë të vizionit dhe ideve politike.
“Ky njeri nuk ka ide, nuk ka program, nuk ka ideale, nuk ka vizion, nuk ka orientim. Ka vetëm një gjë me bollëk në qeverisjen e tij: korrupsionin dhe paaftësinë qeverisëse!”.