
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Selver Xhelili, ka deklaruar se, nëse zgjidhet deputet, do të angazhohet me përkushtim për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për të adresuar kërkesat e tyre në nivel qendror.
Ai tha se do të punojë për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë.
“Do të punoj për të siguruar që ata e ato që jetojnë në Kosovë, të gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë, ashtu siç i kanë mundësitë qytetarët e Kosovës, e veçmas për pajisjen me dokumente, përkrahjen për banim, shtimin e kuotës për studentët e Luginës në universitetet publike në Kosovë, e rritjen e bursave për ta”.
Xhelili kritikoi Qeverinë Kurti, duke e akuzuar për krijimin e përçarjeve dhe duke premtuar se do të angazhohet për forcimin e unitetit të shqiptarëve të Luginës dhe avancimin e të drejtave të tyre në Serbi.
“Do të insistoj që Qeveria e Kosovës të bëjë gjithçka të mundur për të siguruar avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës në Serbi, duke kontribuar në forcimin e unitetit dhe zgjerimin e të drejtave të tyre, duke luftuar çdo përçarje që tashmë është krijuar nga Qeveria Kurti, e duke i forcuar shqiptarët për kauzat e tyre të përbashkëta, jashtë interesave partiake”.
“Çdo hap që do të ndërmarrim, do të jetë në drejtim të një të ardhmeje më të mirë dhe më të barabartë për shqiptarët e Bujanocit, Preshevës e Medvegjës në Republikën e Kosovës e Kosovën Lindore. Prandaj, kërkoj votat e qytetarëve të Luginës, sepse do të jem zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës,” shkroi Xhelili.