
Eksperti i sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahaj, ka ngritur shqetësime mbi mungesën e kontrollit dhe sigurisë në sistemin e numërimit të votave nga KQZ.
Ai ka përmendur dy skenarë të mundshëm që mund të kenë ndikuar në manipulimin ose gabimet gjatë publikimit të rezultateve.
Sipas tij, problemi i parë lidhet me mungesën e aprovimit të informacionit.
Një person, qoftë me qëllim apo jo, mund të hyjë në sistem dhe të regjistrojë votat bazuar në listën e komisionerëve në qendrat e votimit.
Mungesa e një pale të dytë për të verifikuar saktësinë e të dhënave para publikimit krijon mundësi për gabime ose manipulime.
Skenari i dytë është edhe më shqetësues, pasi i njëjti person mund të ketë akses si për futjen e të dhënave, ashtu edhe për publikimin e tyre në faqen zyrtare.
Ky proces pa një mekanizëm kontrolli hap rrugë për abuzim.
Në të dyja rastet, eksperti thekson në emisionin “Kosova Today”, se KQZ-ja ka dështuar në kontrollin e sigurisë dhe nuk ka një sistem të qartë të identifikimit dhe konfirmimit të rezultateve.
Sipas tij, procesi teknik mbetet i pabesueshëm dhe jo kredibil, duke ngritur shqetësime për saktësinë e numërimit dhe transparencën e zgjedhjeve.
Ndiqni deklaraten e plotë, në videon e mëposhtme: