
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për të verifikuar nëse ka elemente të veprës penale lidhur me problemet teknike të ndodhur në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
Prokuroria ka kërkuar nga KQZ informacionet e nevojshme për të vërtetuar nëse ka pasur ndonjë shkelje ligjore në lidhje me dështimin e sistemit të platformës që u aktivizua pas mbylljes së qendrave të votimit.
Kjo ndodhi pasi që pas publikimit të rezultateve preliminare, sistemi i KQZ-së ka hasur në probleme teknike dhe është mbyllur përkohësisht.
Në njoftim, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se hetimet janë në fazën e parë dhe po shqyrtohen mundësitë për një vepër penale në lidhje me funksionimin e platformës së KQZ-së gjatë periudhës së zgjedhjeve.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.”