
Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri në një lokal në Skenderaj. Gazeta Insajderi ka raportuar se dorasi dhe viktima janë familjarë mes vete.
Insajderi mëson se vrasja ka ndodhur brenda një kafiterie në Skenderaj.
Lidhur me rastin është deklaruar Prokuroria e Mitrovicës.
Zëdhënësi Valon Preteni, ka deklaruar se lidhur me rastin dy persona janë të dyshuar, të cilët janë në arrati.
“Të dyshuarit tashmë dihet cilët janë, por ende janë në arrati. Po punojmë intensivisht për t’i kapuar”, deklaroi ai.
“Lidhur me motivet e rastit do të bëhen të ditura në një fazë tjetër të zhvillimit të hetimeve”, theksoi ai.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës se një person ka mbetur i vrarë pas të shtënave me armë zjarri në Skenderaj.
Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti tha për Insajderin se fillimisht janë dëgjuar të shtëna me armë brenda një lokali ku si pasojë e të shtënave ka humbur jetën viktima mashkull i moshës rreth 42 vjeçar.
Policia thotë se po kërkon personin e dyshuar.
“Sot më, 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj. Sipas informatave fillestare të shtënat kanë ndodhur brena një lokal ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës”, thotë policia.
Insajderi ka siguruar foto nga vendi i ngjarjes:
Rrjedha hetimore po zhvillohet ne drejtim te identifikimit dhe arrestimit të një personi të dyshuar.
Insajderi raportoi se viktima është Ismet Ibishi i moshës 42 vjeçare. Ndërsa, dorasi është një mërgimtar nga Anglia, familjar i viktimës me emrin Hysni Ibishi- 63 vjeçar.