
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj ofendimeve të bëra nga kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili i quajti “hajvanë” kundërshtarët e tij politikë, shkruan Insajderi.
Hamza u shpreh se gjatë fushatës zgjedhore, gjuha fyese dhe ofendimet e drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje kaluan kornizat e normales dhe nuk janë të pranueshme.
Ai tha se qytetarët e Kosovës kanë shqetësime të tjera shumë më të rëndësishme për të cilat duhet të ofrohen zgjidhje, siç janë problemet ekonomike, sociale dhe infrastrukturore.
Ai shtoi se PDK-ja ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe konsistent gjatë gjithë fushatës, duke u fokusuar në ato çështje që prekin direkt jetën e qytetarëve.
“Ne kemi qëndruar në strategjinë tonë dhe jam i lumtur që e kemi ruajtur konsistencën. Edhe sot, nëse do të kthehem, do të bëj të njëjtën rrugë. Kosova ka shumë probleme; ekonomike, sociale, infrastrukturore, etj. Këto janë çështjet për të cilat duhet të merren vendime dhe të ofrohen zgjidhje,” tha Hamza në Pressing të T7.
Kur u pyet për deklaratën e Kurtit, i cili ofendoi opozitën dhe elektoratin opozitar duke i quajtur “hajvanë”, Hamza theksoi se ai nuk do të merret me këtë lloj gjuhe.
Ai deklaroi se ka një edukatë dhe një përgjegjësi të madhe si prind dhe si ish-profesor, dhe nuk do të lejojë veten të përdorë fjalë të tilla.
“Ecim tutje… nuk është gjuhë e duhur,” tha Hamza, duke shtuar se gjuha shqipe është mjaftueshëm e pasur dhe se mund të shprehim mendimet tona në mënyrë të qartë dhe të zgjedhur.
“Unë kam tre fëmijë, jam familjar, kam punuar profesor, dhe nuk e lejoj veten asnjëherë të përdor gjuhë jo adekuate“.