17 vjet shtet, Kosova feston sot pavarësinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    17 vjet shtet, Kosova feston sot pavarësinë

    Insajderi
    17 February 2025 - 08:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Republika e Kosovës feston sot 17-vjetorin e pavarësisë. Më 17 Shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur sovran dhe demokratik.

    Ky përvjetor do të përcillet me shumë aktivitete institucionale. Krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes, do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

    Ndërkohë, Kuvendi do të mblidhet në seancë solemne. Më vonë, krerët e shtetit do të mbajnë edhe pritjen shtetërore. Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende.

    Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të vitit 2008 ku merrnin pjesë 107 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik. 

    Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 107 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit. 

    Kështu më 17 shkurt të vitit 2008 u kurorëzua ëndrra për pavarësi e një populli që kaloi nëpër vuajtje dhe diskriminim, nëpër një luftë të përgjakshme, e cila ishte vetëm kapitulli i fundit tragjik i një drame me shumë akte, dramë e cila u shtri përgjatë një shekulli. 

    Kjo është Deklarata solemne e Pavarësisë që u lexua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës:

    “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark