
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës në nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka uruar festën.
Pas urimit të 17-vjetorit të Pavarësisë, Kurti kujtoi sakrificën e dëshmorëve dhe veteranëve e invalidëve të UÇK’së, shkruan Insajderi.
Pas kësaj, ai është lëshuar në lavdata për forcim të ekonomisë, pasaportës së Kosovës dhe ngritjes në luftimin e korrupsionit.
“Teksa festojmë, kujtojmë me krenari rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë e pavarësisë. Kushtetuta jonë është e re, por kultura jonë është e një populli të lashtë. Ne sot nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjtë dëshmorët e martirët, tek invalidët e veteranët e UÇK-së, te veprimtarët e qytetarët që qëndruan përballë sfidave. Të gjithëve u jemi mirënjohës. Liria që kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci që të dëgjohet zëri i popullit.
Demokracia kërkon institucione të forta, mbrojtje të ligjit, e që garantojnë se pushteti u shërben qytetarëve. Republika jonë sot është më e fortë se kurrë më parë, jo vetëm sepse kemi investuar në siguri e mbrojtje, por kemi forcuar institucionet demokratike, e kemi normalizuar funksionimin e tyre. Ekonomia po rritet shpejt e qëndrueshëm. Nga solidarizimi i qytetarëve për shtet, kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët.
Me pasaportën e Republikës, udhëtojnë lirshëm pa viza e me dinjitet në 38 shtete. Vendi ynë është në mesin e vendeve me indeksin më të lartë të rendit dhe ligjit dhe ndër vendet më të sigurta në botë. Sipas indekseve ndërkombëtare për demokraci zgjedhore dhe liberale, Kosova është demokracia me përmirësimin më të madh në Ballkanin Perëndimor në katër vitet e fundit. Gjithashtu Kosova jonë prinë në Ballkanin Perëndimor sa i përket përmirësimit të të drejtave politike dhe lirive civile. Në vitet e fundit kemi shënuar përmirësimin më të madh në indeksin e përceptimit të korrupsionit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Këto rezultate dhe arritje janë dëshmi e progresit tonë të përbashkët, por gjithashtu edhe progresit tonë të pandalshëm, të popullit, të institucioneve, si dhe të miqve, të partnerëve tanë evropianë e amerikanë, arritje që i festojmë sot dhe duhet t’i mbrojmë të gjithë çdo ditë. Suksesi ynë është dëshmi që kemi punuar në përputhje me amanetin e idealit të dëshmorëve të kombit dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve“, tha Kurti. /Insajderi.org/