
Policia e Kosovës ka arrestuar një 31 vjeçar në Ferizaj pasi dyshohet se ka goditur me veturë nga ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj.
Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore, pas tretmanit mjekësor fillestar në Ferizaj ajo është dërguar për trajtim të mëtejshëm në QKUK – Prishtinë.
Për pasojë, në të dy automjetet janë shkaktuar dëme materiale.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli i cili shtoi se në momentin e goditjes, viktima ishte po ashtu në veturën e saj.
“Më datë 17.02.2025, rreth orës 01:30, i dyshuari Sh. R(M/K) 31 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, kishte ndjekur viktimën (ish-bashkëshorten), e cila po ashtu ishte me veturë. Kur kanë arritur në Ferizaj, te Sheshi “Adem Jashari”, i dyshuari e ka goditur automjetin e viktimës, ndërsa të dy ishin në lëvizje”, tha ai për Insajderin
Ai shtoi se hetuesit dhe krimteknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes për ekzaminimin e automjeteve dhe ato janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Lidhur me rastin, është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të cilësohet si “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, tha ai.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndihmë mjekësore ju ka ofruar edhe të dyshuarit.
/Insajderi