
Evropa duhet të kërkojë “pavarësimin” nga Shtetet e Bashkuara, tha kancelari i mundshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz.
Në një tryezë të rrumbullakët televizive të dielën në mbrëmje, Merz kritikoi gjithashtu “ndërhyrjen” e SHBA-së në fushatën zgjedhore gjermane në ditët e fundit, sipas CNN, përcjell Insajderi.
“Ndërhyrjet nga Uashingtoni nuk ishin më pak dramatike dhe drastike dhe përfundimisht të egra sesa ndërhyrjet që kemi parë nga Moska”, tha ai.
“Jemi nën një presion kaq masiv nga të dy palët, saqë prioriteti im kryesor është krijimi i unitetit në Evropë”, shtoi tutje Merz.
“Prioriteti im absolut do të jetë fuqizimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që hap pas hapi të arrijmë vërtetë pavarësinë nga SHBA-të”.
“Nuk do ta kisha besuar kurrë se do të më duhej të thosha diçka të tillë në televizion. Por të paktën, pas deklaratave të Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët – të paktën kjo pjesë e amerikanëve në këtë administratë – janë kryesisht indiferentë ndaj fatit të Evropës“, tha ai. /Insajderi.org/