A mund të bëhet edhe vendimi i Kurtit për pagën minimale fajtor për fryrjen e faturave të rrymës? Çka thotë KEDS në aplikacionin dërguar ZRRE'së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    A mund të bëhet edhe vendimi i Kurtit për pagën minimale fajtor për fryrjen e faturave të rrymës? Çka thotë KEDS në aplikacionin dërguar ZRRE’së

    Insajderi
    26 February 2025 - 11:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, KEDS, në janar të këtij viti ka prezantuar pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji aplikacionin për të hyrat maksimale për vitin 2025. Në këtë aplikacion, krahas kostove të tjera, përmendet edhe si kosto shtesë rritja e pagës minimale prej 350 eurove.

    Në kategorinë “Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjatë vitit 2024”, KEDS thotë se vendimi i Qeverisë Kurti për rritjen e pagës minimale në vlerë prej 350 eurove ka ndikuar në strukturën e kostovë për shërbimet e mirëmbajtjes dhe sigurimit, shkruan Insajderi.

    Gjithashtu, ndryshimi i kushteve të tregut dhe politikave sociale, sikurse rritja e pagës minimale në Kosovë në vlerë prej 350€ kanë ndikuar në strukturën e kostove për shërbimet e mirëmbajtjes dhe sigurimit, përfshirë sigurimin e objekteve fizike. Pra, rritja e pagës minimale kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ofrimin e këtyre shërbimeve nga kontraktorët, duke bërë që ata të rrisin kostot e shërbimeve që ofrojnë, në përputhje me kërkesat e reja të pagave. Reflektimi i këtyre kostove ishte i domosdoshëm për të mundësuar vazhdimësinë e operimit të funksionit të shpërndarjes”, thuhet pos tjerash në aplikacionin e KEDS’it.

    KEDS po ashtu thekson se kostoja e lartë e importit është një nga arsyet pse ata kërkojnë të hyra më të larta maksimale për këtë vit.

    Në vitin 2024, OSSH ka importuar mbi 37 milion € më shumë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. Kjo
    është një barrë e rëndë financiare për kompaninë, që përveç kostos së lartë të importit ka rritur edhe
    kërkesën për burime financiare të tjera, duke e çuar OSSH-në në humbje. Rritja e kostos së importit
    është veçanërisht e rëndësishme, pasi çmimet e energjisë kanë qenë shumë të paqëndrueshme që
    nga kriza financiare globale, duke e bërë planifikimin e buxhetit dhe menaxhimin e kostove akoma
    më të vështirë
    “, thuhet tutje.

    ZRRE’ja, sidoqoftë, ka reaguar dje pas raportimeve për rritje të mundshme të faturave të energjisë elektrike. Ata thonë se s’do të japin asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimit të tarifave deri në publikimin e raportit për konsultim publik të aplikacioneve të tre pjesëmarrësve në energji elektrike.

    Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm.

    Deri në publikimin e raportit për konsultim publik, ZRRE-ja nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, para se të publikohet raporti i ZRRE-së për konsultim publik, është i pavërtetë, i paargumentuar dhe nuk duhet të merret parasysh“, u tha në komunikatën e ZRRE’së. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark