
Vëllezërit me ndikim Andrew dhe Tristan Tate, të cilët akuzohen për trafikim njerëzor në Rumani, janë larguar për në SHBA pasi u hoq ndalimi i udhëtimit ndaj tyre, tha një zyrtar të enjten.
Vëllezërit akuzohen gjithashtu për krijimin e një bande kriminale për shfrytëzim seksual të grave. Andrew Tate gjithashtu përballet me një akuzë shtesë për përdhunim.
Nuk ishte e qartë se në çfarë kushtesh Tates – të cilët janë mbështetës të zjarrtë të presidentit amerikan, Donald Trump dhe mburren me miliona ndjekës në internet – u lejuan të largoheshin nga Rumania.
Një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar për të diskutuar rastin, tha se vendimi ishte në diskrecionin e prokurorëve.
Agjencia rumune kundër krimit të organizuar, DIICOT, tha në një deklaratë të enjten se prokurorët miratuan një “kërkesë për të modifikuar detyrimin që parandalon të pandehurit të largohen nga Rumania”, por se masat e kontrollit gjyqësor mbetën në fuqi. Agjencia nuk tha se kush e kishte bërë kërkesën.