PAMJE/ Policia zbulon uniforma e municion në veri të vendit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    PAMJE/ Policia zbulon uniforma e municion në veri të vendit

    Insajderi
    28 February 2025 - 19:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka zbuluar një arsenal të municionit dhe të uniformave të ndryshme në fshatin Rodel në komunën e Leposaviqit, në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi.

    Përmes një konference për media në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut detajet rreth këtij aksioni i kanë bërë të ditura, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

    “Falë informacioneve Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion, ku janë zbuluar uniforma të ndryshme, pajisje ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione indroktinuese që dëshmojnë se strukturat paralele “Civilna Zastita” vazhdon të jetë aktive në territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Sveçla.

    Ai ka thënë se institucionet e sigurisë së Kosovës në vazhdimësi po zhvillojmë aksione, e të cilat, sipas tij kanë qëllim të sigurojnë rend e ligj në çdo pjesë të vendit, duke synuar që Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera t’i shërbejnë rendit dhe ligjit dhe qytetarëve të saj pa asnjë dallim.

    “Në anën tjetër, Serbia vazhdon ta strehojë terroristin Milan Radojçiq, i cili është kupola e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste t’i mbajë të gjallë, qoftë në territorin e Serbisë, po ashtu edhe brenda territorit të Kosovës. Ne u bëjmë ftesë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen dhe që t’i dorëzojnë pajisjet, armët dhe të gjitha mjetet tjera luftarake dhe të bëhen pjesë integrale e shoqërisë, gjithmonë duke pasur parasysh se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe cenuar kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës duhet të përgjigjen para saj”, ka shtuar Sveçla.

    Ai ka thënë se mbesin të vendosur dhe të përkushtuar që siguria të mbretërojë në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe që çdo kush që cenon atë të vihet para organeve të drejtësisë.

    Ndërkohë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se sekuestrimi i këtyre armëve dhe uniformave është bërë në një shtëpi të braktisur në fshatin Rodel. Ai ka thënë aktualisht në stacionin policor është shoqëruar një person, i cili është duke u intervistuar.

    Lista e materialeve të sekuestruara janë: Një pushkë njëtytëshe, kondak pushke, 19 fishekë për pistoletë, një çantë me 45 fishekë për armë të gjatë, një palë dylbi për snajperë, 1 kuti me 11 fishkë për armë gjuetie, një çantë me katër karikatorë të zbrazët, një pjesë për tytë, një kuti me vaj, dhe një rrip me tre fatrolla për pistoletë. Pajisje për pastrimin e armës, dy gazmaska, pajisje ushtarake për ushqim,  çantë për ndihmë tp parë, qese për pajisje dhe ndihmë të bardhë, dy vuyla, literaturë të ndrushme,  çantë me dokumente, substanca të dyshuar të eskplozivit, telefona, dy shigjeta, dylbi, mjete pune, thikë, karikaturë e zbrazët, thikë, rripa ushtarakë, disa  çanta ushtarake, jakne me mbishkrimin ‘Civilna Zastita’, si dhe 31 deri 40 uniforma ushtarake të ndryshme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark