Rusia e lavdëron Trumpin dhe e kritikon Evropën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Rusia e lavdëron Trumpin dhe e kritikon Evropën

    Insajderi
    02 March 2025 - 15:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka lavdëruar presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se ai ka “arsye të shëndosh” sa i përket synimit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ka akuzuar fuqitë evropiane, që janë mbledhur rreth Kievit, se po synojnë të prolongojnë konfliktin.

    Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara ende duan të jenë shteti më i fuqishëm në botë dhe se Uashingtoni e Moska asnjëherë nuk mund të pajtohen për gjithçka, por janë pajtuar që të jenë pragmatik kur i kanë të njëjtë interesat.

    “Donald Trumpi është pragmatist”, tha Lavrov për gazetën ushtarake ruse, Krasnaya Zvezda, sipas transkriptit të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse. “Slogani i tij është arsyeja e shëndosh. Kjo nënkupton, siç mund ta shohin të gjithë, një ndryshim të mënyrave se si bëhen gjërat”.

    “Por, qëllimi është ende MAGA [Bëje Amerikën Madhështore Sërish]”, tha Lavrov, duke iu referuar sloganit politik të Trumpit.

    Rusia e ka pushtuar Ukrainën më 2022, duke dërguar mijëra trupa në shtetin fqinj dhe duke shkaktuar luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Konflikti në lindje të Ukrainës ka nisur më 2014, pasi presidenti prorus i Ukrainës u rrëzua nga pushteti përmes protestave dhe Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti forcat separatiste në luftën kundër forcave ukrainase në lindje të vendit.

    Të premten, Trump dhe nënpresidenti i tij, JD Vance u përplasën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësit evropianë më pas i dolën në mbrojtje Zelenskyt.

    Por, Lavrov kritikoi Evropën, duke thënë se në 500 vjetët e fundit Evropa ka qenë vatër “e të gjitha tragjedive në botë”, përfshirë kolonizimin, luftërat, kryqëzatat, Luftën e Krimesë, Napoleon Bonapartin, Luftën e Parë Botërore dhe Adolf Hitlerin.

    “Dhe tani, pasi [mandatit të ish-presidentit amerikan, Joe] Bidenit, njerëzit që erdhën udhëhiqen nga arsyeja e shëndosh. Ata e thonë qartë se duan që të ndalen të gjitha luftërat, ata duan paqe”, tha Lavrov.

    “Dhe, kush po kërkon ‘vazhdimin e banketit’ në formë të një lufte? Evropa”, shtoi ai.

    Lavrov po ashtu hodhi poshtë idenë evropiane të dërgimit të një kontingjenti paqeruajtësish evropianë dhe tha se Rusia nuk i beson Ukrainës pas rënies së marrëveshjeve të Minskut, që ishin të dizajnuara që t’i jepnin fund luftës separatiste në lindje të Ukrainës. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark