
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përballur me një dështim në tentativën e tij për të manipuluar procesin e votimit gjatë zgjedhjeve të fundit, 9 shkurtit. Sipas një burimi të besueshëm të Insajderit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëhet fjalë për keqpërdorimin e 30 zarfeve me vota të dyshimta. Mësohet se këto zarfe u tërhoqën nga Ambasada e Kosovës në Kroaci dhe, për shkak të dyshimeve mbi legjitimitetin e tyre, këto vota nuk do të numërohen.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se janë duke e hetuar rastin.
Ata kanë njoftuar se janë duke kërkuar detaje nga KQZ për mënyrën se si janë pranuar dhe menaxhuar dërgesat nga Ambasada e Kosovës në Kroaci.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë, se Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës/ Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda për grumbullimin e informatave të nevojshme rreth këtij rasti, nga KQZ kemi kërkuar detaje rreth mënyrës së pranimit të këtyre dërgesave dhe menaxhimit të tyre nga ana e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.
Por, si ndodhi rasti?
Pak ditë para zgjedhjeve, Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, veproi jashtë çdo procedure zyrtare duke marrë vetë të gjitha zarfe me fletëvotime nga posta dhe duke i dërguar në ambasadë. Ky veprim i Berishajt kishte ngritur shqetësime serioze për mundësinë e manipulimit të votave të diasporës.
Në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj kishte konfirmuar hapur se kishte ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.
Pas këtij skandali, KQZ kishte mbajtur një mbledhje, por kryetari i këtij institucioni nuk kishte qenë në gjendje të tregonte se çka kishte ndodhur.
“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht ende nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Mbeten të vërtetohen në fazat e mëvonshme,” kishte thënë Kreshnik Radoniqi kur u pyet nga gazetarët, pas mbledhjes së KQZ-së më 7 shkurt.
Sidoqoftë, numërimi i votave të diasporës nga përfaqësitë diplomatike është përmbyllur, duke përfshirë edhe Ambasadën e Kosovës në Zagreb.
Sipas rezultateve për zgjedhjet e vitit 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë me 79.65% të votave, duke siguruar gjithsej 90 vota. Pas saj, ka ardhur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15 vota, që përfaqësojnë 13.27% të totalit të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë vetëm 5 vota, ose 4.42% të rezultatit.
/Insajderi