BQK konfirmon raportimin e Insajderit për Byronë e Sigurimeve, tregon se çka gjeti auditimi i brendshëm - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    BQK konfirmon raportimin e Insajderit për Byronë e Sigurimeve, tregon se çka gjeti auditimi i brendshëm

    Insajderi
    04 March 2025 - 15:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka raportuar të hënën se një raporti i auditimit të brendshëm është bërë në Byronë e Sigurimeve, dhe se Këshilli e Asambleja e këtij institucioni e kanë përcjell të njëjtin në Prokurori. Mbikëqyrësi, BQK-ja në këtë rast, ka konfirmuar për Insajderin se një raport i tillë tek të hënën është dërguar te ky institucion. Por, çka përfshinë ai? Cilën periudhë e cilat aktivitete të Byrosë?

    Gazeta Insajderi

    Gazeta Insjaderi dje ka raportuar se pas realizimit të një auditimi të brendshëm në Byronë Kosovare të Sigurimit, është konstatuar se përreth një milionë euro nuk kanë arritur të dokumentohen përmes dosjes bazike.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Këshilli dhe Asambleja e Byrosë janë mbledhur javën e kaluar dhe kur e kanë parë këtë raport, kanë vendosur që të iniciojnë kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.

    Deri tash BKS-ja nuk është përgjigjur në e-mailin e dërguar nga Gazeta Insajderi.

    Por, për Gazetën Insajderi ka folur institucioni që mbikëqyr BKS-në, Banka Qendrore.

    “Si rezultat i ekzaminimit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), në kuadër të masave që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka ndërmarrë në vitin 2024 për të përmirësuar aspektet e qeverisjes dhe funksionimit të BKS, përveç masave sipas mandatit të saj, BQK-ja kishte urdhëruar BKS-në që realizoj auditime të brendshme dhe verifikim të plotë të disa proceseve, si: a) të trajtimit dhe pagesës së dëmeve, b) shpenzimeve të Byrosë, si dhe c) proceseve të punësimit dhe kompensimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dërguar Insajderit.

    Mbi këtë kërkesë, BQK-ja i ka thënë Gazetës Insajderi se  “Auditori i Brendshëm i BKS-së ka hartuar Planin e Auditimit, dhe ka kryer auditimin e këtyre fushave sipas përgjegjësive të tij, ku përveç gjetjeve të bëra për periudhën audituese, në këtë raport janë paraqitur rekomandimet përkatëse së bashku me veprimet që duhen ndërmarrë nga Strukturat Drejtuese të BKS-së. Progresi në zbatimin e tyre monitorohet edhe nga njësia përkatëse për mbikëqyrje e BQK-së”.

    BQK-ja ka treguar se edhe cilën periudhë e përfshinë ky audtim i brendshëm dhe çka ka trajtuar më saktë. Edhe se çka do të bëjë BQK-ja

    “Raporti i Auditimit të Brendshëm të BKS-së për trajtimin dhe pagesën e dëmeve që ju i referoheni dhe i përket periudhës janar 2019 – qershor 2024, është pranuar sot nga BQK-ja, me datë 3 mars 2025 dhe i njëjti do të trajtohet me përparësi në të gjitha çështjet e ngritura, sipas përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore. Rastet që referohen në raport dhe për të cilat janë ngritur pretendime i përkasin periudhës 2022-2023. Në varësi të shqyrtimeve mbi bazën e dokumentacionit, do të vlerësohet mënyra e adresimit adekuat dhe veprimeve të nevojshme sipas legjislacionit dhe autorizimeve ligjore”, i ka thënë Insajderit BQK-ja.

    BQK-ja në përgjigjet e dërguara tek Insajderi zbulon edhe se sa Byroja, institucioni që e krijon buxhetin përmes kompanive të sigurimeve dhe më saktë: përmes policave të obligueshme të sigurimit të veturave, ka qëndruar pa auditor të brendshëm.

    “Për dijeni, në kohën e finalizimit të ekzaminimit dhe nxjerrjes së vendimit të BQK-së për shqiptim të masave në muajin maj të vitit 2024, BKS-ja ishte pa Auditor të Brendshëm, kurse Auditori i ri i Brendshëm filloi punën në muajin qershor të vitit 2024. Nga ajo kohë sipas kërkesave të BQK-së u kryen auditimet e përmendura më lartë, duke përfshirë edhe auditimin e teknologjisë informative. Pra, nga koha kur janë marrë masat në BKS, janë plotësuar pozita kyçe të cilat i janë nënshtruar edhe aprovimit të BQK-së, për të zbatuar kërkesat e legjislacionit për të qenë i përshtatshëm dhe i duhur, të cilat janë përgjegjëse për qeverisje dhe zbatim të kontrolleve të brendshme, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhënë Gazetës Insajderi.

    Sipas BQK-së, nga konstatimet e raporteve të Auditimit të Brendshëm të BKS-së për çështjet e ngritura më lartë, gjetjet i përkasin periudhës deri në fund të vitit 2023 dhe nuk janë evidentuar në vitin 2024 e tutje, “duke shënuar progres të rëndësishëm në avancimin e kontrollit të brendshëm, qeverisjes, si dhe funksionimit të BKS”.

    “…niveli i zbatimit të rekomandimeve nga raporti i ekzaminimit të BQK-së i vitit 2023, si dhe i përmbushjes së detyrave të lëna me vendim të BQK-së kur u morën masat, mbeten për t’u konstatuar dhe trajtuar nga BQK në kuadër të procesit të vazhdueshëm mbikëqyrës”, i ka thënë Insajderit BQK-ja.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark