
Driton Selmanaj, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar mbi dyshimet për manipulim të votave me postë.
Selmanaj, i cili nuk arriti t’i bënte votat e mjaftueshme për deputet, ka pretenduar se votimi në përfaqësi diplomatike dhe në votat me postë “kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike”.
“Një proces i rregullt zgjedhor është përcaktues për të nxjerrë institucione demokratike. Çdo prekje e votës është vepër penale dhe si pasojë, abuzuesit duhet ta marrin dënimin e merituar.
Siç po shihet deri më tani, votat në Qendrat Komunale të Numrimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime.
Edhe më keq është situata me votat e mërgatës.
Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike”, ka thënë ndër të tjera ai.
Selmanaj ka kërkuar rinumërimin e votave në gjithë Kosovën dhe përsëritjen e votimit të mërgatës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës. /Insajderi.org/