
Glauk Konjufca, numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për herë të parë pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai qëndrimet e tij ka vendosur t’i paraqesë në një “think-tank” italian.
Konjufca tha për ‘Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa’ se VV’ja synon të formojë qeverinë me përfaqësuesit e pakicave jo-serbe, përcjell Insajderi.
“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke mos lejuar që Lista Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë pushtet vendimtar si në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca për OBCT’në.
Rashiq hyri në parlament pasi Lista Serbe nuk arriti të fitonte të 10 vendet që tradicionalisht u ndaheshin serbëve, duke siguruar vetëm nëntë.
Megjithatë, për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh që nevojiten për të formuar një qeveri, LVV-së i duhen edhe dy të tjerë.
Konjufca shtoi se bashkëpunimi me partitë opozitare nuk është i mundshëm.
“Nëse është e nevojshme, ne do të takohemi si lider dhe do të vendosim për hapat e ardhshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë marrë qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft të padrejta, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka shtuar numri dy i VV’së. /Insajderi.org/