
Komuna e Fushë Kosovës ka emëruar si drejtor të Inspektoratit, Donat Zharkun. Gazeta Insajderi ka mësuar ekskluzivisht se ai është familjar i afërt me kryetarin e Komunës, Burim Berishës.
Sipas burimeve të Insajderit, Donat Zharku është vëllai i gruas së djalit të kryetarit, Trim Berishës. Familja Berisha është ekspozuar para nepotizmit të pastër duke punësuar mikun e fëmijës, në një post të rëndësishëm brenda komunës që udhëhiqet për pesë mandate nga Burim Berisha i LDK’së.
Drejtori i ri, Donat Zharku është emëruar në këtë pozitë javën e kaluar me miratim të kryetarit, Burim Berisha.
Emërimi i tij në këtë pozitë ka ardhur pasi ish- drejtori, Arbër Statovci kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Lajmin për Gazetën Insjaderi e ka konfirmuar vetë Donat Zharku. Ai ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë nuk ka të bëjë me lidhjen familjare që ka me kryetarin e Fushë Kosovës.
“Pozita ime aktuale është rezultat i përvojës dhe angazhimit tim profesional ndër vite dhe në asnjë moment lidhjet familjare nuk kanë pasur ndikim në këtë proces. Po të ishte për shkak të lidhjeve familjare atëhere këtë pozite do ta merrja shumë më herët dhe jo tani”, ka thënë ai për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe kryetarin Burim Berisha, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Po ashtu, pyetje janë dërguar edhe djalit të kryetarit, Trim Berisha, pasi e ka mik (vëlla të gruas) Donat Zharkun por, as ai nuk ka komentuar rastin.
Kujtojmë se edhe punësimi i Trim Berishës në Ministrinë e Pushtetit Lokal kishte bërë bujë të madhe në vitin 2020.
Ai ishte caktuar zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Drejtori i ri i Inspektimit është pronar i një kompanie ndërtimi
Drejtori i ri i Inspektoratit në Komunën e Fushë Kosovës, Donat Zharku është pronar i një kompanie që merret me fushën e ndërtimit.
Sipas të dhënave në ARBK, Zharku është pronar i firmës ““ENGINEERING STUDIO” me seli në Fushë Kosovë.
Kompania e tij figuron e regjistrua në janar të vitit 2023.
I pyetur se a do të ndikoj pozita e tij si drejtor i inspektorati për përfitime personale ai ka mohuar një veprim të tillë.
“Nuk kam pranuar këtë pozitë për ndonjë përfitim personal dhe çdo veprim i imi si drejtor do të jetë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik”, ka thënë ai.
/Gazeta Insajderi/