
Mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich, ka firmosur një kontratë të re katërvjeçare, e cila do ta mbajë atë në klub deri në vitin 2029.
Kontrata aktuale e Kimmich skadonte në fund të këtij sezoni dhe ai ishte lidhur me një transferim te Arsenali.
30-vjeçari iu bashkua Bayernit nga RB Leipzig në vitin 2015 dhe që atëherë ka zhvilluar 429 paraqitje, duke shënuar 43 gola dhe dhënë 115 asistime.
“Në Bayern Munich kam ambientin më të mirë për të arritur objektivat e mia sportive. Kjo ishte arsyeja kryesore e vendimit tim,” deklaroi Kimmich.
“Për momentin, nuk ka një kombinim më të mirë të shokëve të skuadrës, stafit teknik dhe klubit për të arritur suksesin maksimal. Ndihem si në shtëpi këtu dhe ende nuk kam mbaruar misionin tim.”
Kapiteni i Gjermanisë, i cili numëron 97 paraqitje me kombëtaren, ka fituar tetë tituj të Bundesligës dhe një Ligë të Kampionëve me Bayernin.
Kimmich ka qenë një lojtar kyç nën drejtimin e Vincent Kompany këtë sezon, duke luajtur çdo minutë në Bundesligë deri në muajin shkurt, kur pësoi një dëmtim të lehtë në kofshë.
Ai është lojtari më i fundit që rinovon kontratën me Bayernin këtë vit, pas Manuel Neuer, Jamal Musiala dhe Alphonso Davies.
Bayern kryeson Bundesligën me tetë pikë avantazh ndaj kampionëve në fuqi, Bayer Leverkusen, dhe do të përballet me Inter në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Finalja e këtij edicioni do të luhet në “Allianz Arena” në maj.