
Është ngritur Kallëzim Penal kundër kryeshefit të KRU “Gjakova” Hasan Krasniqit për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes, shkruan Gazeta Insajderi.
Kallëzimi Penal është ngritur nga kompania e dëmtuar “Ilir Noshi B.I”.
Në kallëzimin penal që ka siguruar Gazeta Insajderi, kryeshefi Hasan Krasniqi, po akuzohet për veprat penale: Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës -Cënimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike- Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka keqpërdorur pozitën për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në procedurat e prokurimit publik, duke shkaktuar dëm financiar dhe konkurrencë të pabarabartë ndaj kompanisë sonë”, përshkruhet në Kallëzimin penal.
Sipas shkresës, veprimet e kryeshefit Hasan Krasniqi përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procedurat e prokurimit publik, duke ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë dhe duke cenuar parimet e konkurrencës së lirë, transparencës dhe barazisë në tenderim
“Si rezultat i këtij veprimi, neve na është pamundësuar pjesëmarrja në tender, një e drejtë e garantuar me Ligjin e Prokurimit Publik, duke na privuar nga mundësia për të konkurruar në kushte të barabarta. Kjo shkelje ka pasur pasoja të drejtpërdrejta në aktivitetin tonë ekonomik, duke na shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar për shkak të fitimit të mundshëm të humbur. Për më tepër, duke marrë parasysh faktin se për vite me radhë kemi pasur kontratën e njëjtë me autoritetin KRU “Gjakova”, ky veprim ka prishur vazhdimësinë dhe stabilitetin e angazhimit tonë në ofrimin e shërbimeve të kontraktuara”, ka thënë kompania e dëmtuar në Kallëzimin Penal.
/Gazeta Insajderi/