
Ylli kinez Guo Jiaxuan u rrëzua pa ndjenja pas një incidenti gjatë një seance stërvitore në Madrid muajin e kaluar. Një lojë stërvitore ishte organizuar mes Shoqatës së Futbollit të Pekinit dhe skuadrës spanjolle RC Alcobendas.
Pasi u përplas me një lojtar tjetër gjatë seancës stërvitore, 18-vjeçari Jiaxuan u dërgua me urgjencë në spital për trajtim të menjëhershëm, përpara se të kthehej në Kinë shtatë ditë më vonë. Ai u shtrua në Spitalin Tiantan dhe u mbajt në një makineri asistuese për jetën, raportojnë mediat e huaja, përcjell Insajderi.
Jiaxuan, i cili kishte luajtur për skuadrën e Superligës kineze Beijing Guoan që kur ishte 13 vjeç, kishte qenë pjesë e skuadrës botërore të Bayern Munich dhe përfaqësonte vendin e tij në grupmoshat 17-vjeçare.
Teksa ishte në spital, mjekët deklaruan se futbollistit i kishte vdekur truri, por që e mbajtën në makineri.
Lidhur me vdekjen e Jiaxuan ka reaguar edhe klubi i Bayern Munich.
“FC Bayern është në zi për ndarjen nga jeta të Guo Jiaxuan, ish-lojtarit të skuadrës botërore, i cili ka vdekur në moshën 18-vjeçare në vendlindjen e tij, në Kinë. Ai pësoi dëmtim të rëndë në kokë pas një aksidenti tragjik gjatë një ndeshje stërvitore në Spanjë më 6 shkurt. Ngushëllimet e klubit janë për familjen dhe miqtë e tij.
Qendërmbrojtësi ishte pjesë e skuadrës botërore të FC Bayern më 2023-ën, e cila u jep lojtarëve të talentuar nga e gjithë bota mundësinë për t’u shfaqur për futbollin profesionist. Jiaxuan gjithashtu përfaqësoi Kinën në nivelin e të rinjve“, thuhe në reagimin e ekipit bavarez. /Insajderi.org/