
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka bërë të ditur se të gjithë të lënduarit nga tragjedia e zjarrit në Koçan janë jashtë rrezikut për jetë, por disa prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.
Sipas Taravarit, aktualisht 173 pacientë po marrin trajtim brenda dhe jashtë vendit, ndërsa 10 prej tyre, të cilët ndodhen në Maqedoninë e Veriut, janë në gjendje më të rëndë, por gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Shumica e të lënduarve janë duke u përmirësuar. Nga gjithsej 20 pacientë që ishin në gjendje kritike, sot konstatojmë se 10 janë ende në gjendje të rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën”, ka deklaruar Taravari.
Ndërkohë, ai ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë do të nderojë pos-mortum shoferin e ambulancës nga Koçani, Ile Gocevski, i cili humbi jetën një ditë pas tragjedisë, pasi punoi pa u lodhur për t’i ndihmuar të lënduarit.
Po ashtu, Taravari ka bërë të ditur se drejtori i spitalit të Koçanit është shkarkuar, pasi Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë (DZSI) ka konstatuar një sërë parregullsish në spital, të cilat, sipas tij, mund të kishin ndihmuar në parandalimin e një tragjedie të tillë.