
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Associated Press, ka shkruar një artikull ku thotë se ngritja e aktakuzës ndaj ministrit për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka për sulm dhe kanosje, mund t’i shkaktojë problem kryeministrit, Albin Kurti, për formimin e qeverisë.
Në artikullin e Associated Press thuhet se aktakuza ndaj Damkës mund të bëhet një tjetër pengesë në përpjekjet e partisë në pushtet për të formuar koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Zyra e prokurorit të Prizrenit, ka akuzuar Fikrim Damkën, ministër i zhvillimit rajonal, se ka sulmuar dy individë nga një parti rivale të pakicës turke në ditën e zgjedhjeve.
Sulmi erdhi nga “publikimi i disa informacioneve dhe lajmeve në platformat e mediave sociale” ndaj Damkës dhe partisë së tij, sipas zyrës së prokurorit.
Damka, kreu i Partisë Demokratike Turke, u ndalua dhe u vendos në arrest shtëpiak. Ai mohon të ketë bërë keq. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me një vit burg.
Tutje, në shkrimin e tyre theksohet se gjatë fushatës, Kurti premtoi se nuk do të bashkëpunonte me dy partitë e tjera kryesore, duke e bërë vendimtare mbështetjen e partive të pakicave jo-serbe — të cilat kanë 10 ulëse në parlament. /Insajderi.org/