
Kosova sërish është tronditur nga një akt dhune. Pas vrasjeve të fundit në Vushtrri, mbrëmë një tjetër person ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30 në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.
Viktima, 62-vjeçari Naser Gashi, mbeti i vrarë pas plagëve të marra, ndërsa i plagosuri tjetër, Miftar Miftari, është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Policia e Kosovës ka identifikuar autorin e dyshuar të këtij akti, Alban Gashi, dhe aktualisht është në kërkim të tij.
Dyshohet se Gashi ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, të cilin policia gjithashtu po e kërkon.
Motivet që çuan në këtë akt të dhunshëm ende nuk janë të qarta.
Mjeku kujdestar i Emergjencës në QKUK, Agron Çitaku, bëri të ditur se viktima kishte ardhur në spital pa shenja jete dhe pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ka ndërruar jetë.
“Rreth orës 22:35 ka ardhur personi i parë i plagosur, ka qenë thuajse pa shenja jete. Është bërë reanimi i tij, për gjysmë ore, ka ndërru jetë. Pas 15 minutave ka ardhur i plagosuri tjetër që ka tri plagë por është në gjendje stabile. Personi që vdiq është rreth të 60-ave”, ka thënë Çitaku.
Ndërsa i plagosuri tjetër, Miftari, ka tri plagë dhe ndodhet në gjendje stabile, duke u trajtuar në Klinikën Ortopedike.
Lidhur me rastin detaje ka dhënë sot policia, e cila ka konfirmuar se dy persona të armatosur dhe maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave.
“Prishtinë 25.03.2025-22:25. Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
/Insajderi