
Në Departamentin e Krimeve të Rënda ka nisur seanca dëgjimore për rastin “AlbKings”.
I pranishëm në sallë është parë Florent Poroshtica por jo edhe Edin Nevzadi.
Poroshtica është parë duke e mbuluar fytyrën teksa ka vendosur kapelën.
Gjyqtari i rastit, Adnan Kamberi tha se seanca nuk është e hapur për publikun, por lejohen që mediat të marrin pamje vetëm në fillim të seancës.
“Seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë kundër të pandehurve Florent Poroshtica dhe Edin Nevzadi, ku Florent Fushtica akuzohet për shkak të veprës penale në bashkëkryerje ‘vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, ka thënë gjyqtari i rastit.
Në këtë sallë përveç të pandehurit, janë edhe dy viktima.
Si funksionoi “Albkings”?
“Albkings” , quhet ky grup, aktiv që nga janari i vitit 2023. Ai kishte gati 100 anëtarë. Kishte shumë mesazhe brenda 24 orëve, qindra mijëra. Edhe pjesëmarrësit në këtë grup po talleshin.
Mënyra se si funksiononte grupi ishte shumë diskrete.
Fillimisht u publikua një foto e një gruaje apo vajze, të tjerë nga ana e tyre shkruanin komente të ndryshme. Pas fotos u publikuan të dhënat e tyre si emri, numri i kontaktit, llogaria në Facebook apo Instagram, më pas caktuan çmimin “200-500 euro për një natë”, ndërsa një tjetër shkruan “kjo është kurvë* ma jep falas. “Nuk më pëlqen fare Kosova” – dhe komente të tilla, me të vetmin qëllim për të denigruar/rrënuar reputacionin e këtyre grave/vajzave.
Përveç fotografive, janë publikuar edhe video në të cilat shiheshin duke kryer akte seksuale, ndërsa linçimet, ngacmimet dhe komentet poshtëruese kanë vazhduar.