
Gazeta Insajderi ka raportuar javë më parë që një këqyrje e auditores së brendshme të BKS-së ka gjetur që në këtë institucion nuk ka mbulesë për afro një milionë euro pagesa dëmesh. Raportin tashmë e posedon Gazeta, sikurse e posedon edhe shteti/ BQK-ja dhe Prokuroria, dhe kjo e fundit i ka konfirmuar Insajderit se ka nisur një hetim
Visar Duriqi
Vitin e kaluar Byroja Kosovare e Sigurimeve, një mekanizëm i themeluar me ligj që buxhetin e krijon nga kompanitë e sigurimeve e përmes policave të detyrueshme për veturat për çka shteti i obligon kosovarët që ti paguajnë, kishte angazhuar në auditim të brendshëm Krenare Pirana-Kiserim.
Kjo auditore ka këqyrur në detaje pagesat e dëmeve që janë bërë nga BKS-ja, dhe jo vetëm ato.
Por, në këtë pikë, e njëjta ka gjetur se në 45 raste, e që bashkë bëjnë afro një milionë euro, janë kompensuar dëme e për të cilat nuk janë gjetur dokumentacion i mjaftueshëm për mbulim të tyre.
Dhe, këtë ‘avullim’ të një milionë eurove ajo e ka vënë në një raport të detajuar prej 40 faqesh, e ku ka edhe emra individësh e kompanish.
Raporti nuk mbeti vetëm në BKS. Një kopje të tij e posedon Gazeta Insajderi, por edhe institucioni kushtetues që e mbikëqyr BKS-në, Banka Qindore e Kosovës e udhëhequr aktualisht nga Ahmet Ismaili.
Ismalili, në kohën kur ndodhi ‘avullimi’ i 2.1 milionë eurove në tetorin e vitit 2020, ishte drejtor i Thesarit.
Për këtë rast Gazeta Insjderi ka pasur raportime ekskluzive ku kishte zbuluar edhe skemën e funksionimit të grupit që mori 2.1 milionë euro në Thesarin e shtetit, derisa ai po drejtohej nga Ismaili, aktualisht Guvernator.
Prokuroria për Insajderin: Jemi duke hetuar
Raporti i brendshëm i auditimit konstaton se ” se nga llogaria bankare e dedikuar për pagesat e dëmeve nga Sigurimi Kufitar dhe MOU ishin realizuar :në vitin 2022: 59 pagesa me një vlerë totale prej 354,580€; në vitin 2023: 107 pagesa me një vlerë totale prej 688,704€”.
Raporti tutje gjen se këto pagesa “nuk ishin të regjistruara në databazën e dëmeve, duke krijuar një mospërputhje të konsiderueshme midis shpenzimeve të raportuara nga llogaria bankare dhe dokumentacionit të trajtimit të dëmeve”.
“Departamenti i Financave është kontaktuar për të siguruar dëshmitë e këtyre pagesave, por asnjë dokumentacion mbështetës nuk është vënë në dispozicion për pagesat e identifikuara. Nuk ka të dhëna për dëmet përkatëse që justifikojnë këto pagesa, si numri i lëndës së dëmit, raporti policor i aksidentit, vendimi i komisionit të vlerësimit të dëmeve, raportet e ekspertizës apo dokumentet e tjera mbështetëse”, thuhet në raport.
Për më tepër, sipas audtitores, “përfituesit e këtyre pagesave përfshijnë 44 individë dhe 1 subjekt juridik, por nuk ka të dhëna të qarta mbi bazueshmërinë ligjore dhe administrative të këtyre transaksioneve”.
Nuk mund të përcaktohet nëse këto fonde, thotë auditorja, të jenë përdorur për kompensim të dëmeve reale apo për qëllime të tjera, “duke ngritur shqetësime mbi menaxhimin e fondeve të dëmeve dhe transparencën e procesit të kompensimit”.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Prokurorinë Speciale (PSRK), duke ua dërguar raportin, por të njëjtit kanë thënë që lënda gjendet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Në këtë Prokurori, rasti po trajtohet, sic merr vesh Insajderi, në Departamentin e Krrimeve të Renda.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se çështja në fjalë është në fazën e procedurës hetimore”, i ka thënë Prokuroria Insajderit në një përgjigje me shkrim duke shtuar se “tani për tani nuk mund të ofrojmë ndonjë informatë pasi që mund të dëmtojmë integritetiin hetimor mbi këtë çështje”.
Gazeta Insajderi tash e disa muaj ka publikuar një sërë raportimesh për BKS-në, dhe ka nxjerr në publik edhe raporte konfidenciale të mbikëqyrjes nga shteti.
Ka raportuar edhe për procesin e zgjedhjes së Drejtorit Ekzekutiv të BKS-së, postin e të cilit tash e më shumë se një vit e ushtron ish-Drejtori i Departamentit të IT-së, në BKS, Shefik Gërbovci.
Vet raporti që zbuloi aferën e avullimit të një milion eurove, konstaton se pikërisht ato dëme “nuk ishin të regjistruara në databazën e dëmeve, duke krijuar një mospërputhje të konsiderueshme midis shpenzimeve të raportuara nga llogaria bankare dhe dokumentacionit të trajtimit të dëmeve”.
Procesi i zgjedhjes së Drejtorit të BKS-së është shoqëruar m dyshime për konflikt interesi, diçka që edhe vet BQK-ja në një komunikm të brendshëm e ka shprehur, pasi që në garë vazhdon të mbetet edhe u.d. Drejtori Shefik Gervovci.
Sipas përshkrimit zyrtar, BKS-ja është organizatë profesionale në cilësinë e personit juridik e themeluar për qëllime jofitimprurëse. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh këtij institucioni statusin e Byrosë nacionale të sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë pagesë dhe Byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtarë të sigurimit.
BKS-ja veprimtarinë e saj e ushtron në bazë të ligjit NR. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, i publiguar në Gazëtën Zyrtare të Republikës së Kosovës me Nr. 4 / 14 Korrik 2011, Prishtinë.
Anëtarë i Byrosë mund të jetë vetëm siguruesi i licencuar për sigurime të detyrueshme nga neni 1 i këtij ligji. Siguruesi nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë pa qenë anëtar i Byrosë/ Gazeta Insajderi