
Kanë kaluar 12 orë pas vrasjes së rreshterit të Policisë, Muhamed Lika, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ka bërë asnjë reagim publik deri tani. Pavarësisht se ngjarja ka tronditur jo vetëm qytetin e Kaçanikut, por të gjithë vendin, ai po qëndron në heshtje, shkruan Insajderi.
Në anën tjetër policia ka konfirmuar se dorasi ende nuk është kapur, ndodhet në arrati.
Dhe kjo nuk është vrasja e vetme. Javëve të fundit, janë regjistruar disa vrasje të tjera, duke përfshirë edhe vrasjen e katër qytetarëve në Kosovë, asnjë veprim nuk është ndërmarrë.
Madje, edhe një i dyshuar për vrasje në kryeqytet ende ndodhet në arrati.
Sidoqoftë, deri tani për vrasjen e Likës ka reaguar vetëm Glauk Konjufca.
Konjufca ka bërë thirrje për hetime sa më të plota e të shpejta, që autori apo autorët të vendosen përballë drejtësisë, përcjell Insajderi.
“Bëj thirrje për hetime sa më të plota e të shpejta që është e mundur, në mënyrë që autori apo autorët e këtij krimi të vendosen përballë drejtësisë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e rreshterit Muhamed Lika, të cilët duhet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje të madhe!”, ka shkruar Konjufca.
Sipas raportit të policisë, fillimisht ishte raportuar për një një person të plagosur.
Me të pranuar informacionin rreth orës 23:00, njësitë policore i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se viktima mashkull kosovar (zyrtar policor ) është pa shenja jete.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse nga të gjitha njësitë relevante policore si dhe prokurori me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, e konfirmoi lajmin për Insajderin, duke shtuar se motivet e krimit ende nuk janë të qarta.
“Jemi duke punuar intensivisht, ende nuk ka diçka të re”, tha ai shkurt.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe Prokurorinë, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje.
Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…