Reagim publik i mediumit Insajderi mbi reagimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për një grup të ngjashëm me “Albkings” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Reagim publik i mediumit Insajderi mbi reagimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për një grup të ngjashëm me “Albkings”

    Insajderi
    02 April 2025 - 11:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mediumi online “Gazeta Insajderi” shpreh zhgënjim mbi reagimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që synon demantimin e lajmit “Shtetit i iki Edin Nevzadi, rihapet një grup tjetër sikur “Albkings”/Pamjet tronditëse”, të botuar përgjatë ditës së martë nga ana e mediumit.

    Nëpërmjet këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë synon të demantojë ekzistencën e këtij grupi denigrues për gratë, e që realisht anëtarësimi në të mund të bëhet vetëm nëpërmjet ftesës nga të tjerët meqë kategorizohet si “grup privat” në rrjetin social ‘Telegram’.

    Gazeta Insajderi e ka të paqartë mënyrën se si ka tentuar ta verifikojë ekzistencën e grupit Prokuroria Themelore në Prishtinë, kurse vetë gazetarët që janë marrë me rastin kanë arritur të marrin vesh që nëpërmjet një linku arrihet anëtarësimi në “ALBANIA CHAT”. Gazeta Insajderi në këtë raportim asnjëherë nuk ka paragjykuar e as s’ka tentuar ta paraqes si fakt lokacionin se nga është hapur ky grup, vetëm ka bërë të ditur se pjesëmarrësit e grupit janë shqipfolës.

    Teksa flasim, grupi ka shënuar gjithsej përreth nëntë mijë anëtarë. Gazeta Insajderi ka bashkëngjitur në formë dëshmie edhe fotografi të censuruara që dëshmojnë synimin e pjesëmarrësve në grup që të denigrojnë dhe cenojnë gratë.

    DËSHMI:

    Ndërkaq, sa i përket pjesës tjetër ku në titull thuhet se “Edin Nevzati i iki shtetit”, Insajderi bazohet në dy seancat e fundit ku i pandehuri nuk ka marrë pjesë në rastin “Albkings”. Në marrëveshjen për pranimin e fajësisë me z. Nevzati, Prokuroria thekson para trupit gjykues se kanë marrë garanci që Nevzati të paraqitet sa herë që t’i kërkohet nga ana e prokurorisë dhe gjykatës, siç thuhet në një përgjigje të Gjykatës Themelore të Prishtinë në tetorin e 2024-ës.

    “Për njoftimin tuaj me datë 17.10.2024 gjykata ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit E.N. Prokuroria e ka njoftuar gjykatën se ka ardhur në përfundim, që ndaj të pandehurit E.N kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti në prezencën e mbrojtësit të tij sipas autorizimit, ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, po ashtu i pandehuri ka dhënë adresë të saktë të vendqëndrimit në Republikën e Kosovës, ku janë edhe familjarët e tij dhe ka premtuar se deri në përfundim të procedurës penale do të paraqitet çdo herë, kurdo që ti kërkohet nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, thuhet saktësisht në njoftimin e Themelores, kur pyetet për lirimin e Nevzatit, me kërkesë të prokurorisë.

    Vetë Edin Nevzati ka kontaktuar Insajderin mbrëmjen e së martës pas publikimit të raportimit, duke thënë se është larguar nga shteti i Kosovës meqë ju kanë bërë shumë padrejtësi.

    “Edin Nevzati jom. Jam largu pi shtetit kosoves se mu kan bo shum pa drejtsi un as qe jom kon administrator as antar i kryne grupeve. Po leni kto lajme fake. Se mlodhet mo”, ka thënë ai nëpërmjet profilit të tij.

    Gazeta Insajderi është e gatshme të bashkëpunojë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe me të gjitha organet e vendit sa herë që lind nevoja, sikurse ka bërë edhe me rastin e grupit “Albkings”!

    Reagimi i plotë i Prokurorisë Themelore të Prishtinës:

    Reagim publik nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

    Prishtinë, 2 prill 2025–Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, njofton se rasti i njohur në publik si “Albkings” është trajtuar me prioritetin dhe seriozitetin më të madh nga ana e Prokurorisë.

    Prokurori i Shtetit ka përcjellur me vëmendje në vazhdimësi publikimet e ndryshme mediatike në lidhje me këtë rast, në veçanti këtu edhe së fundi publikimin e lajmit në portalin “Insajderi” me titull “Shtetit i iki Edin Nevzadi, rihapet një grup tjetër sikur “Albkings”/Pamjet tronditëse” dhe njofton publikun se lajme të tilla janë të pavërteta.

    Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë gjithë fazës së hetimit, por edhe pas ngritjes së aktit akuzues ka përcjell me kujdes dhe trajtuar me vëmendje çdo informacion mbi mundësinë e rihapjes së këtij grupi apo grupeve tjera me përmbajtje të ngjashme, informacione këto të cilat pas verifikimit kanë rezultuar të pavërteta.

    Andaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh me rastin e plasimit të lajmeve të mos publikojnë informata të pasakta, me qëllim të dezinformimit të publikut. Para çdo publikimi, mediat duhet të kujdesen për saktësinë e lajmit të tyre.

    Raportimi i Insajderit:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark