
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar me ministrin në detyrë Fikrim Damka ndaj të cilit është ngritur një aktakuzë për “Sulm” dhe “Kanosje”.
Kurti këtë takim e ka bërë në kuadër të konsultimeve për formimin e qeverisë së re duke ua kërkuar votën partisë turke për formimin e qeverisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Pas përfundimit të takimit, Qeveria publikoi një komunikatë për media bëri të ditur se Damka i ka ofruar mbështetje Kurtit për formimin e qeverisë së re.
Por, Fikrim Damka nuk doli para mediave të deklarohet siç bënë edhe krerët e partive të tjera të komuniteteve.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), bashkë me Kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, që gjithashtu mban pozitën e nënkryetarit të KDTP-së.”, thuhet në njoftimin e ZKM.
ZKM thotë se ata kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që bashkëpunimin ta vazhdojnë edhe në legjislaturën në vijim.
“Bashkë diskutuan për hapat përpara për formimin e institucioneve të legjislaturës së 9-të të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Kryeministri Kurti falënderoi z. Damka për punën si ministër i kabinetit në këtë mandat të plotë të qeverisë dhe për bashkëpunimin e afërt si në qeveri ashtu edhe në kuvend. Të dyja palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim.”