Memli Krasniqi, Abdixhikut për postin e kryeministrit: Më fal, ka rend këtu - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Memli Krasniqi, Abdixhikut për postin e kryeministrit: Më fal, ka rend këtu

    Insajderi
    03 April 2025 - 23:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për opozitën pozita e kryeministrit është çështje e pa negociueshme, duke e konsideruar Bedri Hamzën si opsionin e vetëm për këtë post, në rast se Albin Kurti dështon të krijojë Qeverinë e re të Kosovës, shkruan Insajderi.

    Sipas Krasniqit, qytetarët kanë pasur dy mundësi kryesore për kryeministër: Albin Kurtin dhe Bedri Hamzën, dhe se të tjerët, përfshirë Lumir Abdixhikun, duhet të qëndrojnë në opozitë.

    Ai shtoi se për PDK-në, krijimi i institucioneve dhe udhëheqja e vendit është një përgjegjësi që duhet marrë nga opozita, nëse Kurti nuk arrin të sigurojë numrat e nevojshëm.

    “Qëndrimi është Bedri Hamza kryeministër, nuk ka opsion tjetër. Qytetarët i kanë pasur dy opsione Albin Kurtin ose Bedri Hamzën, të tjerët kanë qenë aty por më fal, ka rend këtu”.

    Në të njëjtën linjë, ai ka ironizuar për mundësinë që Lumir Abdixhiku të mbetet në opozitë, duke thënë se “le të rrijë në opozitë, nuk është fundi i botës”.

    Krasniqi gjithashtu ka paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke shtuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, zgjedhjet mund të bëhen më të shpeshta.

    “Në opozitë nuk rrinë hiç se shkon në zgjedhje të reja dhe nëse duhet me shku në zgjedhje të reja edhe një herë, se po harrojmë që zgjedhjet e vjeshtës që i kemi dy raunde në zgjedhje lokale, e prej ku jemi – vitin e ardhshëm zgjedhjet nacionale janë të pa shmangshme”, tha ai në Klan Kosova

    Ai ka ironizuar duke thënë se “nëse dojmë me i mbajt zgjedhje tri herë në vit, i shpallim zgjedhjet sport kombëtarë”.

    Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Insajderin u shpreh se LDK-ja duhet të ketë pozicionin e kryeministrit për të siguruar një qeverisje të qëndrueshme dhe për të realizuar programin e saj.

    KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare më 27 mars dhe sipas tyre LVV-ja ka fituar 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24 ulëse, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.

    Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark