
16 pelegrinë serbë u arrestuan përgjatë së shtunës dhe së dielës në dy komuna të Kosovës, atë të Gjakovës dhe Prizrenit.
Katër nga ta u kapën të shtunën në Gjakovë, të cilët ishin të pajisur me armë, shkruan Insajderi.
“Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë / 05.04.2025 – 18:30. Katër të dyshuar meshkuj janë arrestuar për shkak se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. Të dyshuarit në konsultim me prokurorin janë dërguar në mbajtje”, u tha në njoftimin e Policisë.
Gazeta Insajderi merr vesh se nga të arrestuarit, dy serbë nga Mitrovica dhe dy të tjerë nga Serbia. Njëri nga Novi Sadi e tjetri nga Beogradi.
Burime të Insajderit bëjnë me dije se në Gjakovë në pranga ranë Branko Rakiq dhe Milovan Steviq, që të dy serbë me vendbanim në Mitrovicë.
Ndërkaq dy serbët e tjerë me vendbanim në Serbi janë: Nemanja Vamoviq dhe Pavle Kragoviq.
LEXO EDHE:
12 të tjerë u ndalën për identifikim në Prizren. Dhjetë më pas u liruan dhe dy të tjerëve iu caktua masa e ndalimit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, deklaroi se ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit 48-orësh.
“Sot, më 06.04.2025, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e ‘Arastës’. Personat dhe veturat janë kontrolluar dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për legjitimim dhe intervistim. Pas intervistimit, dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan si pjesëtarë të MUP-it serb, por nuk kishin asnjë dokumentacion që e dëshmonte një gjë të tillë”, tha Gashi.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se në bazë të hetimeve paraprake, një toger ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Bansjkës, Nemanja Radivojeviq me nofkën “Gandi”. Sipas ministrit në detyrë, “Gandi” është i lidhur me Vladimir Radivojeviq, të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Në mbledhje të Këshillit të Sigurisë u tha se detyrat e pelegrinëve serbë ishin destabilizuese. /Insajderi.org/