
Në prillin e vitit 2015, Lëvizja Vetëvendosje, kur ishte në opozitë, ishte një nga partitë më të zëshme që kundërshtonte çmimet e larta të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës. Deklaronte se “qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike” dhe e konsideronte këtë një padrejtësi të madhe. Duke qenë se ajo kishte një qëndrim të ashpër kundër rritjes së çmimit të energjisë, partia bënte thirrje edhe për protesta.
Por, rreth tetë vjet më vonë, situata ka ndryshuar. Lëvizja Vetëvendosje, tani në pushtet dhe me Albin Kurtin si kryeministër, ka ndërruar qëndrim, shkruan Insajderi.
Pavarësisht se kjo parti dikur e kishte bërë çështjen e çmimeve të energjisë një nga shtyllat e saj të opozitës, tani ajo po mbështet një rritje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët, duke e arsyetuar këtë me nevojën për të mbuluar kostot e importit të energjisë.
Rritja e çmimit të energjisë ka shkaktuar debat dhe pakënaqësi te qytetarët.
Përderisa Qeveria në detyrë e Kurit po përkrahë “rritje të butë të energjisë”, Presidenca e Kosovës ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend.
Presidenca thotë se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
Nesër, më 11 prill, Bordi i ZRRE-së do të mblidhet për të shqyrtuar dhe marrë vendimin për propozimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 15%.
Seanca e tretë e këtij viti do të përfshijë dy pika kryesore: miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar dhe shqyrtimi i propozimit për miratimin e të hyrave të lejuara maksimale për operatorët energjetikë.
Në të njëjtën ditë, qytetarët e Kosovës kanë paralajmëruar një protestë masive kundër këtij propozimi, duke kërkuar që rritja e çmimit të energjisë të bllokohet dhe të shqyrtohen mundësitë për uljen e kostove për konsumatorët kosovarë.
Protesta pritet të mbahet pasdite, duke filluar nga ora 12:00, për të shprehur pakënaqësinë me këtë vendim të mundshëm që mund të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve./Insajderi.org