Haradinaj nderon Agim Ramadanin në 26-vjetorin e rënies së tij: Beteja e Koshares u bë unike dhe e pavdekshme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj nderon Agim Ramadanin në 26-vjetorin e rënies së tij: Beteja e Koshares u bë unike dhe e pavdekshme

    Insajderi
    11 April 2025 - 10:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nderuar sot heroin Agim Ramadani në përvjetorin e 26-të të rënies së tij, duke potencuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Betejën e Koshares.

    Ai tha se Agim Ramadani, së bashku me Sali Çekajn dhe Xhemajl Fetahajn, dha vulën e pavdekshme të kësaj beteje, duke e bërë atë të veçantë dhe të paharrueshme.

    “Në përvjetorin e përjetësisë kujtojmë dhe nderojmë trimërinë e pashembullt të tij, si strateg dhe ndërtues i unitetit çlirimtar. Ai ndoqi deri në frymën e fundit betimin e tij për të mos vdekur pa luftuar!”, ka thënë Haradinaj.

    Në nderim të heroit, Haradinaj ka kujtuar momentet e paharrueshme të luftës, duke përmendur Agim Ramadanin si ushtarin e parë shqiptar që shkuli “gurin e kufirit që ndante shqiptarët” dhe ra heroikisht te Rrasa e Zogut, për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës.

    Ai ka përmendur gjithashtu heronjtë e tjerë të UÇK-së që dhanë kontributin e tyre në thyerjen e kufirit mes shqiptarëve, si Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala.

    “Lavdi heronjve të Kosovës!” shkroi Haradinaj./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark