
Ministria e Mbrojtjes në detyrë, ka njoftuar dje (15.04.2025) se ka dhënë një tender të negociuar. Kontrata kap vlerën prej 173 mijë euro. Kompanitë fituese të tenderit janë E-Commerce -Kosova; CAPITAL X FET. Këto kompani para pak muajve kishin marrë një tender tjetër nga kjo ministri, po me të njëjtën metodë, tender njëburimor dhe për të njëjtin qëllim “pastrim të hapësirave”.
Në ditën kur Qeveria Kurti u dorëhoq, nga Ministria që udhëhiqet nga Ejup Maqedonci u dha një njoftim për një tender një burimor.
Ministria dha kontratën për ”Shërbimet për mirëmbajtjen e hapësirave te objekteve të FSK-së“.
Me këtë kontratë, me datë 07.04,2024, u shpërblyen E-Commerce -Kosova SH.P.K.; CAPITAL X FET SH.P.K.
Nga ministria për të dhënë ofertat e tyre u ftuan shtatë kompani.
Një kompani kishte ofertuar me një çmim me të lirë, por që Ministria përzgjodhi ofertën prej 173 mijë euro.
Tenderi e ka kohëzgjatjen për gjashtë muaj dhe në dosje thuhet se ishte ekstrem emergjent për mirëmbajtjen e hapësirave te objekteve të FSK-së.
“AK i MM, ka për qellim qe të lidhe një kontratë me një OE, qe do të ketë kapacitet të kryej “Sherbimet për mirmbajtjen e hapsirave te objekteve të FSK-së(ekstrem emergjente)”. Furnizimet duhet të behet sipas specifikimit teknik te kërkuar të përcaktuar në dosjen e tenderit me qellim të ngritjes se operacionalitetit dhe efikasitetit ne kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së“, theksohet aty.
Por, që ky nuk është tenderi i vetëm i dhënë për këtë qëllim. Nën arsyetimin ’emergjent’, ministria kishte dhënë edhe para gjashtë muajve tenderin e njëjtë kompanive që dolën fituese edhe tash.
Dy kontrata të negociuara për shërbimet e mirmbajtjen e hapsirave te objekteve të FSK-së
Në shtator të vitit 2024, Ministria e Mbrojtjes, dhe tenderin për ‘Shërbimet mirëmbajtje pastrimit te hapësirave të brendshme(ekstrem emergjent)për nevojat e FSK-së’.
Kontrata i ishte besuar grupit te operatorëve ekonomik “E-commerce Kosova shpk, Capital X Fet shpk” me vlerë prej 112,509.32€, edhe pse ministria në fillim e kishte parashikuar vlerën prej 100 mijë eurosh.
Ministria ftesën për ofertim ia kishte dërguar vetëm dy kompanive të tjera.
Edhe kjo kontratë u dha në formë të negociuar me arsyetimin e njëjtë të ministrisë ’emergjente’
Edhe kompanitë fituese ishin të njëjtat që u ‘shpërblyen’ edhe tash.
Ndërkohë, kontratat njëburimore mund të lidhen sipas Ligjit të Prokurimit Publik por duhet të plotësohen disa kushte.
Kontratat e tilla janë ngritur si problem për diskutim nga organizatat e shoqërisë civile që e monitorojnë prokurimin publik.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me këtë, por që nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Pas publikimit ka reaguar ministria, edhe pse në sistemin e-prokurimit veçse është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës.
Ky është reagimi i tyre i plotë:
“Ju njoftojmë që nuk është nënshkruar tenderi në fjalë nga ana e ministrit Maqedonci dhe nuk do të nënshkruhet derisa të sigurohemi që janë ndjekur të gjithë hapat ligjor dhe procedurat e prokurimit për Pjesa 1 “Shërbimet e Mirëmbajtjes (Pastrimit) te objekteve për nevojat e FSK-së’’ Nr. i prokurimit 217-24-4931-2-1-1&Nr i brendshëm217-24-001-2-1”./Insajderi.org/