
Deputeti i LDK’së, Armend Zemaj, ka thënë se nuk po kërkojnë braktisjen e institucioneve, por ai shton që Kurti le t’ia bartë kompetencat zëvendëskryeministrit, transmeton Insajderi.
“Sepse t’i thuash dikujt që po kërkon braktisjen e institucioneve për shkak se po ta kërkon ty si individ, është e pabazë. Nuk janë 48 deputetë të VV-së që janë ministra e kryeministër. Kurti ka pasur mundësi të ia bartë kompetencat zëvendëskryeministrit, që është po ashtu në detyrë, dhe askush nuk do ta kishte atakuar,” ka deklaruar Zemaj.
Zemaj theksoi se njëjtë do të duhej të vepronin edhe ministrat, duke ia kaluar kompetencat zëvendësministrave, në mënyrë që të shmangeshin përplasjet kushtetuese rreth papajtueshmërisë së funksioneve.
“Nuk na pengon Kurti si individ, por Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe njëkohësisht deputet i zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka deklaruar Zemaj në emisionin Debat Plus.
“Kurti më duket se e ka problem funksionimin normal të ndarjes së pushteteve. Nuk është shembulli i vetëm, por është shembulli më i theksuar. Tendenca për të mbajtur mandatin ekzekutiv përkundër fitimit të mandatit të deputetit është e paarsyeshme, e panevojshme dhe përbën shkelje të pastër kushtetuese”, ka deklaruar Zemaj.