BDI: Programi i ri shkollor për klasën e VII-të, i fshin shqiptarët nga tekstet shkollore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    BDI: Programi i ri shkollor për klasën e VII-të, i fshin shqiptarët nga tekstet shkollore

    Insajderi
    18 April 2025 - 13:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Programi i ri i Byrosë për Zhvillim të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” në klasën e VII-të përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend, akuzojnë sot nga BDI.

    Ky dokument, thonë nga BDI, që duhet të udhëzojë autorët në përgatitjen e librave shkollorë, i injoron plotësisht shqiptarët, kulturën, historinë dhe kontributin e tyre në shtetin tonë të përbashkët.

    “Në versionin e mëparshëm të këtij programi, të përgatitur nga qeveria e kaluar, qartazi kërkohej që nxënësit të mësojnë historinë e popullit të tyre dhe të popujve të tjerë që jetojnë në vend.

    Aty nxitej ndërgjegjësimi për identitetin, bashkëjetesën dhe respektin ndërkulturor.

    Në programin e ri, këto përmbajtje janë fshirë pa asnjë shpjegim. Mungon çdo përmendje për shqiptarët dhe për rolin e tyre në zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të këtij shteti.

    Ky nuk është një ndryshim teknik. Është një mesazh politik – për të krijuar një histori ku shqiptarët nuk ekzistojnë.

    Është përjashtim i qëllimshëm nga rrëfimi i përbashkët dhe një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj do ta kuptojnë këtë vend dhe ata që jetojnë në të.

    Historia dhe shoqëria nuk mund të mësohen duke injoruar njërin nga popujt kryesorë të shtetit.

    Programi i ri jo vetëm që ua mohon nxënësve shqiptarë të drejtën për të parë veten në librat shkollorë, por dëmton vetë përpjekjen për bashkëjetesë, barazi dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

    Nga atje u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të tërheqin këtë program të njëanshëm dhe të rikthejnë një qasje gjithëpërfshirëse që reflekton realitetin shoqëror dhe historik të Maqedonisë së Veriut./Telegrafi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark