
Një aksident pa viktima i bashkëshortes së një biznesmeni u bë shkak për arrestimin e tre zyrtarëve në detyrë të Policisë Rrugore të Tiranës, të dyshuar si të përfshirë në korrupsion.
A2CNN raporton me burime se para disa ditësh Edison Tabaku, oficer i Policisë Gjyqësore shkoi për të këqyrur vendin dhe rrethanat e një aksidenti në kryeqytet.
Gruaja e përfshirë në ngjarje i kishte kërkuar që çështja të mbyllej aty për aty edhe kundrejt ndonjë shume parash, në mënyrë që të mos referohej në prokurori.
Të njëjtat burime thanë se Tabaku e ka adresuar zonjën tek dy eprorët e tij, shefin e komisariatit rrugor, Roven Zekën dhe atë të aksidenteve Sokol Novakun me të cilët ka pasur biseda telefonike.
Në to është përfshirë edhe bashkëshorti i saj biznesmen, të cilin SPAK e kishte ndërkohë nën përgjim për një tjetër dosje hetimore.
Si rrjedhojë në këto përgjime SPAK zbuloi se ata kanë komunikuar me njëri-tjetrin për ofrimin e një shume parash në mënyrë që çështja të mbyllej në favor të gruas së tij.
Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dalë në një njoftim zyrtar për rastin, duke mbetur enigmë edhe emrat edhe shuma e ryshfetit që ata kanë ofruar.