
Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e së hënës në Kaçanik të dyshuar lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, shkruan Insajderi.
Gazeta Insajderi sipas burimeve mëson se shtatë të arrestuarit e aksionit të sotëm janë: Rejhan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi and Vatan Qaka.
Insajderi ka raportuar lidhur me dy të arrestuarit, Haki Bela dhe Rilind Murati të cilët janë ekspozuar disa herë në TikTok, duke ligjëruar çështje mbi islamin.
Në një profil të famshëm në rrjetin social, të ashtuquajtur “Rinia Islame Kaçanik”, Bela dhe Murati shihen teksa ligjerojnë për çështje fetare, raporton Gazeta Insajderi.
Në këtë faqe janë shpërfaqur edhe përmbajtje të disa hoxhallarëve.
Kujtojmë se me të njëjtin emër, “Rinia Islame”, Lavdrim Muhaxheri kishte një shoqatë përmes së cilit kishte krijuar një rrjet ekstrem për pjesëmarrje në luftëra të huaja.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se disa nga të arrestuarit janë të përfshirë në rastin e djegies së Gjykatës së Kaçanikut, rast ky i ndodhur në mars të 2024-ës. /Insajderi.org/