
Dafina Krasniqi ka përmbyllur me sukses specializimin katërvjeçar në fushën e Dermatovenerologjisë, duke u bërë jo vetëm specialistja më e re në këtë profil, por edhe specialistja e parë e kësaj fushe e lindur dhe e rritur në Komunën e Fushë Kosovës.
Përmes një shkrimi, Krasniqi ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj akademik dhe profesional.
Ajo ka vlerësuar lart rolin e familjes së saj, të cilët ishin mbështetja kryesore gjatë gjithë periudhës së studimeve dhe sfidave të shumta që ky proces ka sjellë.
Shkrimi i plotë i Krasniqit:
Një kapitull i rëndësishëm dhe me shumë sukses sot u përmbyll.
Jam tashmë specialistja më e re e Dermatovenerologjisë dhe me shumë krenari specialistja e parë në këtë fushë, e lindur dhe e rritur në Komunën e Fushë Kosovës.
Forca që kam sot brenda vetes është mirënjohja dhe falënderimi për të gjithë ju që do t’i përmend më poshtë.
Faleminderit shumë familjes sime, që ka qenë mbështetja kryesore dhe themeli i shumë sakrificave të mia.
Burimi i dashurisë, përkrahjes dhe zhvillimit tim jeni pikërisht ju.
Në këtë shkrim dua të shpreh mirënjohjen, respektin dhe konsideratat më të larta për Komisionin e nderuar, të përbërë nga profesoreshat:
Prof. Ass. Antigona Begolli-Gerqari
Prof. Ass. Allma Koçinaj
Dr. Sci. Sadije Halimi
Faleminderit për vlerësimin profesional, për përkushtimin dhe mënyrën se si na keni përcjellë dijen tuaj gjatë këtyre katër viteve të studimit – një proces aspak i lehtë.
Mirënjohje të veçantë për mentoren time, Prof. Ass. Merita Kotori, e cila më ka udhëhequr përgjatë gjithë rrugëtimit tim akademik.
Ajo më ka përcjellë me përkushtim dijen dhe vlerat profesionale që do t’i bart me krenari.
Faleminderit shoqërisë dhe kolegëve, me të cilët ndava të mirën e të keqen, dhe infermierëve të klinikës, pa ndihmën e të cilëve shumë nga detyrat e mia gjatë studimeve do të kishin qenë të pamundura.
Besoj që virtyti më i madh i një mjeku është të dojë pacientin dhe t’i përkushtohet me gjithë shpirt.
Do të vazhdoj me të njëjtin përkushtim e pasion, ashtu si deri më sot.
Me dashuri dhe respekt,
Spec. Dr. Dafina Krasniqi
Specialiste e Dermatovenerologjisë