Cili ishte roli i Edmond Likës dhe Shkëlqim Kukës në rastin e vrasjes së rreshterit Lika? - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Cili ishte roli i Edmond Likës dhe Shkëlqim Kukës në rastin e vrasjes së rreshterit Lika?

    Insajderi
    22 April 2025 - 17:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndaj gjashtë të dyshuarve për bashkëkryerje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit të martën.

    Rejhan Belës, i cili dyshohet se kreu vrasjen e Likës me tre plumba përbrenda 47 sekondash, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muajsh, raporton Insajderi.

    SHIH EDHE:

    Para gjykatës sot dolën edhe Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka dhe Diamant Gashi si të dyshuar për bashkëkryerje në veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndaj tyre është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

    Dosja e Prokurorisë në Ferizaj, të cilën ka arritur ta shohë Insajderi, tregon edhe rolin e të pandehurve në rastin tragjik të vrasjes së rreshterit Lika.

    Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka në natën kritike thuhet se e kishin përcjellë tashmë të ndjerin teksa po dilte nga Stacioni Policor në Kaçanik me një veturë të tipit “Opel Astra”.

    Pastaj Lika ndahet nga Shkëlqim Kuka dhe kalon në një veturë të tipit “Golf 2” ku e përcjell deri në afërsi të hyrjes së banesës së rreshterit Lika. Siç thotë Prokuroria, kur Edmond Lika e ka përcjell me veturën e tipit “Golf 2”, këtë e ka bërë me drita fikur.

    Edmond Lika në bazë të video incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve ku së bashku me të pandehurin Edmond Lika e përcjellin rreshterin Muhamed Lika nga dalja nga Stacioni Policor ku i pandehuri Edmond deri sa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Shkëlqim dhe vazhdon me veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës, ndërsa i pandehuri Shkëlqim vazhdon me veturën “Opel Astra” duke përcjellë viktimën”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Gazeta Insajderi raportoi se Haki Bela dhe i Rejhan Bela janë vëllezër.

    Haki Bela, përreth 26-vjeçar, dyshohet të jetë lideri i grupit pjesëmarrës që po gjykohet për ekzekutimin e rreshterit Lika. Ai dyshohet të jetë i përfshirë në aktivitete ekstremiste fetare.

    Haki Bela ishte arrestuar në vitin 2023 nga polici Muhamed Lika për përhapje të urrejtjes fetare.

    Ai ishte arrestuar për përhapje të disa fletushkave më përmbajtje kundër festimit të vitit të ri të cilat ishin vendos në hapësira publike në Kaçanik fund të dhjetorit të vitit 2023.

    “Kaçanik 26.12.2023-11:00. Raportohet se në Kaçanik, janë vendosur disa afishe me mbishkrime të ndryshme. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e vitit 2023.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar dje lidhur me grupin “Rinia Islame Kaçanik” pjesë e së cilit janë dy vëllezërit.

    LEXO EDHE:

    Vrasja u krye për 47 sekonda- Detaje nga dosja

    Sipas dosjes, me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, përkatësisht në katin e II-të, të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta, rreshterin Muhamet Lika, përshkruhet në dosje.

    Viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimësi nga madhorët deri te hamja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, e pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur”, thuhet në dosje.

    Sipas dosjes, nga momenti kur i dyshuari ka hyrë në objektin e banesës dhe deri në momentin kur ka dal, sipas pamjeve të kamerave janë regjistruar 47 sekonda.

    …nga momenti i hyrjes së të miturit Rejhan në objekt deri në daljen janë 47 sekonda, pastaj rreth orës 22:58, nga kamerat e sigurisë, vërehet duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes
    së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “”Dukagjini”
    “, përshkruhet në dosje.

    “Bravo ik” Incizimi që dëshmon komunikimin e të dyshuarve pas vrasjes

    Pas sigurimit të provave, në dosje figuron edhe një bisedë mes të dyshuarve për vrasjen e policit, Muhamet Lika.

    Sipas dosjes, i dyshuari kryesor për vrasje, Rejhan Bela pasi ka privuar nga jeta policin është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka takuar Rilind Muratin i cili dëgjohet duke i thënë “Bravo Ik”.

    pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri Rejhan Bela së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë”, thuhet në dosje. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark